ATK’ja shpjegon se pse ka pengesa në numrin e thirrjeve emergjente

  • 12 March 2020 - 11:37
ATK’ja shpjegon se pse ka pengesa në numrin e thirrjeve emergjente

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në një konferencë të jashtëzakonshme ka bërë publik një numër ku mund të drejtohen qytetarët për të njoftuar lidhur me rritjen e çmimeve. Por, në numrin që ka dhënë Bislimi, nuk përgjigjet askush. 

Në Administratën Tatimore të Kosovës thonë se numri është funksional, derisa japin një arsye tjetër pse askush nuk përgjigjet.

Zëdhënësja e ATK’së, Valentina Bytyqi-Sefa i ka thënë medias, se numri është funksional, por se ka shumë thirrje nga qytetarët që po raportojnë raste të ndryshme.

Bytyqi-Sefa thotë se ATK’ja po e kontrollon situatën dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ndaj bizneseve që ngritin çmimet.

“Ky numër ka qenë në dispozicion të qytetarëve kohë më parë, për raportim të parregullsive që hasin nëpër dyqane. Numri është funksional, por ka shumë thirrje nga qytetarët që po raportojnë raste të ndryshme. ATK po e kontrollon situatën dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ndaj bizneseve që ngritin çmimet. Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Ministria e Financave”, ka thënë Bytyqi për media.

Ndryshe, Bislimi ka kërkuar nga qytetarët të thërrasin ATK-në për të njoftuar për ndonjë keqpërdorim.

“0800 80 800 mund të telefonojnë dhe ATK-ja dërgon ekipin në vendin e ngjarjes dhe do të pësojnë dënime të mëdha”, ka deklaruar sot ai.

Ky njoftim nga Bislimi u bë pas një takimi që ka mbajtur sot me stafin e ATK-së, për të ndërmarr masat kundër keqpërdorimeve të bizneseve pas përhapjes së koronavirusit.

(Kosova Sot Online)