Veliu takohet me Qalajn, kërkon mobilizim të policisë për koronavirusin

  • 12 March 2020 - 12:30
Veliu takohet me Qalajn, kërkon mobilizim të policisë për koronavirusin

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, është takuar sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, për të ndërmarrë të gjitha veprimet që kanë dalë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për masat parandaluese të Corona Virus COVID-19.

Në një komunikatë për media të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se Veliu ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas vendimit të qeverisë.

“Më këtë rast ministri Veliu ka kërkuar nga Policia e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas këtij vendimi, dhe ka kërkuar në veçanti që të gjitha shkollat që veprojnë në veri të Kosovës dhe që punojnë me plan-programe të Serbisë të mbyllen sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq është konstatuar se janë bërë të gjitha veprimet e duhura dhe tashmë të gjitha ato shkolla janë të mbyllura dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, deri në vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës.

“Ministri Veliu ka vënë në funksion të gjitha mekanizmat e sigurisë që veprojnë në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të jenë në gatishmëri të plotë për çfarëdo nevoje në menaxhimin e pandemisë që ka përfshirë shumë vende të botës”, thekson komunikata.

(Kosova Sot Online)