Shkon në 23 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

  • 12 March 2020 - 12:38
Shkon në 23 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar 8 raste të reja të të prekurve me koronavirus, duke e çuar bilancin total në 23 raste në të gjithë Shqipërinë, por edhe duke zgjeruar hartën e shpërndarjes së virusit.

Tashmë regjistrohen dhe raste të reja në Elbasan dhe Rrogozhinë, më konkretisht, 8 të infektuarit e konfirmuar: 2 janë në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Rrogozhinë dhe 3 në Tiranë.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 145 raste për COVID-19 dhe në total janë gjithsesj 298 raste të testuara. Deri në këto momente 23 raste kanë rezultuar pozitiv për COVID-19”.- u shpreh zv.Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

5 prej të prekurve ndodhen në spitalin Infektiv në Tiranë (3 rastet nga i identifikuari i parë me COVID-19, një rast tjetër, 31 vjeçari me banim në Tiranë, me histori udhëtimi me Italinë dhe një grua 45-vjeçare nga Rrogozhina, me histori udhëtimi me Italinë). Gjendja e tyre deri në këto momente është e stabilizuar. Ndërsa 18 raste të tjera (në total) që kanë rezultuar pozitiv janë të vetëizoluar në shtëpi pa probleme të veçanta.
Shpërndarja e rasteve të konfirmuara me COVID-19 është si vijon:

Tiranë – 16 raste
Durrës – 3 raste (njera prej të cilave ka ndërruar jetë)
Lushnje – 1 rast
Elbasan – 2 raste
Rrogozhinë – 1 rast
Të gjitha rastet kanë pasur histori udhëtimi me Italinë.

Sikundër e përmendëm 5 prej këtyre personave nga Tirana dhe Rrogozhina ndodhen të shtruar në spitalin Infektiv. Pjesa tjetër ndodhen të vetëizoluar në shtëpi. 2 rastet e reja të Durrësit janë pacientë që kanë patur kontakt me spitalin (të ndjerën), por nuk kanë shenja të sëmundjes dhe janë të vetëizoluar në shtëpi.
Lidhur me mjekët dhe infermiërët e Durrësit 50 testet nga kampioni i parë i kryer në Durrës rezultuan negativë. Do të vijojmë me gjurmimin e rasteve.
Numri i personave në vetëizolim është 18. Numri i personave në vetëkarantimim është 134.“-njofton Ministria e Shendetësisë.

(Kosova Sot Online)