Ja se cilët liderë politik do t'i shkojnë në takim sot Ramush Haradinajt

  • 12 March 2020 - 12:54
Ja se cilët liderë politik do t'i shkojnë në takim sot Ramush Haradinajt

Në ora 14:00 në Kuvend të Kosovës, kreu i AAK-së, e ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka ftuar në takim liderët e partive politike. Me gjasë atij pozitivisht do t’i përgjigjen vetëm opozita, pasi që LV-ja dhe LDK-ja nuk kanë pohuar se kanë interes për të përkrahur idenë e tij për “Konferencën e Unitetit”.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ende nuk ka hequr dorë nga ideja e tij për Konferencën e Unitetit, ani pse një gjë e tillë nuk është përkrahur nga pozita. 

Rrjedhimisht, për sot i ka ftuar në Kuvend të Kosovës krejt kryetarët e partive politike, që të bisedojnë lidhur me përgatitjet e kësaj konference, për të cilën ai ka propozuar që të jetë dy ditore, e ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian.

Mirëpo, në takimin ku ai do të jetë nikoqir, me gjasë Haradinajt do t’i shkojnë veç ish partnerët e tij në Qeveri.

Media merr vesh se deri më tani vetëm kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli e kanë konfirmuar takimin.

Në anën tjetër, në partinë e kryeministrit të Kosovës, nuk kanë treguar nëse shefi i VV-së, Albin Kurti do të shkojë në takimin e thirrur nga Haradinaj.

Express ka kontaktuar edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike, megjithatë, as nga kjo parti nuk kanë sqaruar nëse Isa Mustafa do t’i bashkohet thirrjes për organizim të konferencës.

Kreu i AAK-së, e ish-kryeministri i ka thirrur sot në ora 14:00 në Kuvend të Kosovës liderët e partive.

Këtë e ka bërë të ditur dje gjatë ditës përmes një shkrimi në Facebook. Haradinaj ka thënë se duhet që të dilet nga kjo situatë që është duke e dobësuar pozicionin e Kosovës.

“Uroj që të mos refuzohet bashkimi e përpjekja për unitet, në këtë moment vendimtar për vendin”, ka shkruar ai.

Në kuadër të kësaj nisme ai ka takuar ditë më parë kreun e PDK-së dhe atë të Nismës.

“Në kuadër të nismës për organizimin e Konferencës së Unitetit për Kosovën, sot kam zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ishte vlerësim i përbashkët se Kosova, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për unitet të brendshëm politik në fazën e një epilogu të dialogut me Serbinë”, ka shkruar ai.

Gazeta Express ka raportuar ditë më parë se LV-ja dhe LDK-ja nuk e përkrahin këtë konferencë, derisa kanë deklaruar se për këto çështje të rëndësishme vendoset në institucione.

(Kosova Sot Online)