Haziri nuk flet me bërryla, por thotë se në Gjilan s’ka vend për panik

  • 12 March 2020 - 14:53
Haziri nuk flet me bërryla, por thotë se në Gjilan s’ka vend për panik

Lutfi Haziri i ka informuar qytetarët e Gjilanit se nuk ka vend për panik, sepse deri më tani asnjë shenjë të virusit Codiv-19 nuk është paraqitur tek pacientët e këtij regjioni dhe as në nivel të Kosovës.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ka njoftuar Komuna.

 “Komuna e Gjilanit sot në mëngjes ka marrë vendimin e themelimit të ekipit ndërsektorial për menagjimin e pandemisë sipas vendimit të qeverisë. Kam vizituar dy institucione, atë të QKMF-së dhe IKShP dhe jam njoftuar për masat e ndërmarra. Apeloj te të gjithë qytetarët e Gjilanit që të jenë të kujdesshëm por pa shkaktuar panikë. Gjithcka që është në varshmëri të këtyre institucioneve do të përballohet me lehtësi dhe nuk ka nevojë që të shqetësohemi. Jam duke punuar me institucionet tjera për menagjimin e hyrjeve përmes pikave kufitare që pikëprekin Gjilanin. Të jetojmë në normalitet por me kujdes dhe disiplinë në higjienë veçanërisht”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Ai ka porositur të gjithë qytetarët që për çfarëdo shqetësimi në ndryshimet shëndetësore, t’i drejtohen institucioneve të shëndetësisë dhe të marrin udhëzimet dhe rekomandimet profesionale.

Kurse, në emër të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka folur Ajhane Sejfiu, e cila ka potencuar se nuk ka nevojë për panikë, por duhet që fokusi të jetë në higjienën dhe disiplinën maksimale për ta tejkaluar këtë problem i cili ka përfshirë vende të shumta botërore.

(Kosova Sot Online)