Borell konfirmon se e ka propozuar Miroslav Lajçakun për emisar të dialogut

  • 12 March 2020 - 17:15
Borell konfirmon se e ka propozuar Miroslav Lajçakun për emisar të dialogut

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëkohësisht Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell Fontelles, e ka njoftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se e ka propozuar emërimin e Miroslav Lajçakut, si përfaqësues special të BE-së për dialog dhe për Ballkanin Perëndimor.

Ai ka thënë se do të mbetet i angazhuar që të bëjë më të mirën për ta çuar procesin përpara.

“Në vijim të bisedës tonë të fundit telefonike, do të doja t’iu konfirmoj se unë tashmë ua kam propozuar edhe formalisht shteteve anëtare emërimin e Miroslav Lajçakut, si përfaqësues special i BE-së për dialog dhe për Ballkanin Perëndimor, për të më asistuar mua si lehtësues i BE-së. Unë shpresoj që ai mund të fillojë punën sa më herët. Nga ana ime, unë zotohem të mbes afërsisht i angazhuar në këtë proces dhe të bëj më të mirën për ta çuar përpara sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive. Nga një rezultat pozitiv do të përfitonin të dyja edhe Kosova edhe Serbia, rajoni i gjerë dhe vet BE-ja në fund”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se mirëpret takimin me Kurtin në të ardhmen e afërt në Bruksel, që të vazhdojnë diskutimet dhe t’ua ofrojë ndihmën e Aksionit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS) në përgatitjen e Kosovës për rifillimin e dialogut.

(Kosova Sot Online)