BE i kërkon Albin Kurtit t’i përmbahet afatit 15 mars për heqjen e taksës

  • 13 March 2020 - 17:31
BE i kërkon Albin Kurtit t’i përmbahet afatit 15 mars për heqjen e taksës

Bashkimi Evropian pret që kryeministri Albin Kurti me datën 15 mars të heq tarifën 100 për qind ashtu siç kishte paralajmëruar javë më parë. Kështu kanë deklaruar nga Brukseli në një përgjigje. Megjithatë, qeverisë kosovare për këtë çështje i mungon uniteti. Siç tha kreu i ekzekutivit sot, taksa mbetet në fuqi, derisa të pajtohen për këtë punë Vetëvendosje e LDK-ja.

Këtë të diel, ishte paralajmëruar se do të hiqej pjesërisht taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e kaluar në krye me Ramush Haradinaj.

Megjithatë, hesapet kanë ndryshuar pasi që ky afat nuk do të zbatohet ashtu si paralajmëroi në konferencën e 27 shkurtit, i pari i qeverisë, Albin Kurti.

Sebep për këtë është bërë fushata që ka vazhduar Serbia për heqje të njohjeve, si dhe mos uniteti brenda partnerëve të koalicionit për këtë temë.

Media ka raportuar javën që lamë pas se në qeveri nuk do të shkojë për votim heqja e pjesshme e taksës pa pasur qëndrim të unifikuar mes LV-së e Lidhjes Demokratike.

Këtë e ka konfirmuar sot në një paraqitje para mediave edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai thotë se në mungesë të një qëndrimi në mes të partnerëve, deri në një vendim të ri, tarifa 100 për qind do të mbetet në fuqi.

Mos heqja e tarifës 100 për qind që është tash e një kohë thirrje urgjente e ndërkombëtarëve, mund t’ia prishë punët qeverisë aktuale edhe me Bashkimin Evropian. Madje, për këtë ata kërkojnë që të zbatohet ajo se çka është thënë në konferencë, ku u fol 15 marsi si datë kur heqja e taksës do të hynte në fuqi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano nuk ka komentuar çështjen e reciprocitetit që është paralajmëruar nga qeveria, megjithatë, sqarojnë se pozicioni i tyre është se tarifa duhet të hiqet. 

“Pozicioni ynë për tarifat doganore është i qartë: Tarifat duhet të shkojnë. Njoftimi i Kryeministrit më 27 shkurt ishte një hap i parë i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Siç u përmend nga Kryeministri, ne presim që kjo të shndërrohet konkretisht në realitet që nga 15 Marsi”, thonë në Bashkimin Evropian.

Për vazhdimin e dialogut, që është duke qëndruar më shumë se një vit pezull shkaku i taksës, Kurti mund të zhvillojë edhe një takim kokë më kokë me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Këtë e ka deklaruar vetë Borell në letrën që i përcolli dje kryeministrit Kurti. Megjithatë, shkaku i masave që janë marrë kundër përhapjes së koronavirusit, ky takim nuk dihet se kur mund të ndodhë.

Në Bashkimin Evropian kanë deklaruar se janë duke u munduar që këtë takim ta planifikojnë sa më shpejtë.

“Me situatën aktuale të lidhur me koronavirusin dhe masat e marra nga shumë vende për të kufizuar përhapjen e virusit, ne po mundohemi të planifikojmë një takim me Kryeministrin Kurti në rastin më të shpejtë”, thotë ai, megjithatë, nuk ka ende datë të saktë për të.

“Ne nuk jemi në gjendje t’ju japim ende një datë të saktë”, ka deklaruar Stano.

Derisa Amerika e ka bërë të qartë se taksa duhet të hiqet sa më shpejtë, në të kundërtën Kosova rrezikon ndalje të investimeve e heqje të trupave, në BE kanë qenë më të butë në deklarata.

Tashmë është bërë e ditur se Bashkimi Evropian do të caktojë edhe një emisar të posaçëm për dialogun, që është ministri i jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak.

Përderisa BE nuk e ka bërë të qartë as qëndrimin që kanë lidhur me reciprocitetin si masë e paralajmëruar nga Kurti, kjo masë mund të hyjë në fuqi që nga 1 prilli i këtij viti.

(Kosova Sot Online)