Për dy muaj u konfiskuan rreth gjashtë mijë kilogramë mish

  • 14 March 2020 - 09:11
Për dy muaj u konfiskuan rreth gjashtë mijë kilogramë mish

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) gjatë aksioneve të kontrollit te prodhuesit, përpunuesit dhe tregtuesit e produkteve me origjinë shtazore në gjithë territorin e Kosovës vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt, ka konfiskuar rreth 6 mijë kilogram mish dhe nënprodukte të mishit.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi

“Vetëm për produkte shtazore deri më tani po flasim për muajin janar dhe shkurt i kemi rreth 6 mijë kilogram mish dhe nënprodukte të mishit, kemi vezë të konfiskuara, kemi qumësht dhe nënprodukte të qumështit të cilat gjitha këto hyjnë në produktet me origjinë shtazore”, tregoi Thaçi.

Sipas Thaçit, arsyeja e konfiskimit ka qenë pasi në shumicën e rasteve kanë hasur në produkte pa origjinë. 

Ai tha se kur në rastet e mishit mungon certifikata e therrjes, certifikata shëndetësore, vendi i therrjes e raportet e analizave atëherë vendoset masa e konfiskimit dhe asgjësimit.

“Në shumicën e rasteve ne kemi hasur në produkte pa origjinë do të thotë pa dokumentacion përcjellës që dëshmonë mbi sigurinë e produktit. Në rastet kur një produkt nuk posedon dokumentacionin përcjellës siç është në rastet e mishit certifikata e therrjes, dokumentet certifikata shëndetësore, raportet e analizave, vendi i therrjes, numri i kafshës së therrur apo gjithë dokumentacioni përcjellës, automatikisht në bazë të procedurës sonë të kontrollit dhe akteve normative në fuqi gjithmonë për produktin në fjalë vendoset masa e konfiskimit dhe asgjësimit”.

“Ligji e përcakton që një produkt i cili nuk e posedon dokumentacionin përcjellës, ai produkt nuk ka nevojë të hulumtohet apo të gjurmohet dhe menjëherë inspektori e ka të obliguar dhe ta vendosë masën për asgjësim”, tha zëdhënësi i AUV-it.

Thaçi u zotua se të gjithë ata që mbajnë produkte në treg që nuk i plotësojnë kushtet, do të përballen me organet e drejtësisë.

“Regjioni i Pejës prin me aksionet që janë ndërmarrë, shumica janë aksionet që janë zhvilluar bashkërisht me organet e hetuesisë dhe organet e gjyqësisë dhe ne do të vazhdojmë bashkërisht siç kemi punuar deri më tani që të gjithë ata që tentojnë të vënë në treg produkte që nuk i plotësojnë kushtet në treg, ne do të jemi të pakompromis, gjithëve do t’iu konfiskohen këto produkte dhe ata do të përballen me organet e drejtësisë”, tha ai.

Ai tha se kudo që hasin në produkte që nuk i plotësojnë kushtet për konsum i konfiskojnë dhe i asgjësojnë.

“Gjithmonë pengojmë që një produkt i cili nuk është i sigurt për konsum, ai të mos vijë deri në kontakt me konsumatorin”.

Tutje, zëdhënësi i AUV-it, theksoi se këto shifra nuk janë as për tu krenuar, por as për të ngritur alarm.

“Gjithmonë kemi pasur shifra që ne gjatë punës tonë kemi hasur në teren dhe këto shifra nuk janë as për tu krenuar dhe nuk janë shifra as për të ngritur alarm.  Gjithmonë kemi kaluar shifrën prej 1 milionë kg për litër produkte të asgjësuara, jo vetëm produkte me origjinë shtazore po për gjitha produktet ushqimore që i nënshtrohen kontrollit tonë.”, tregoi Thaçi.

Ndërsa, për vitin e kaluar, AUV-i, ka arritur të konfiskojë rreth 120 tonë produkte.

“Për vitin 2019 ne kemi rreth 120 tonë sepse kemi edhe qumësht edhe nën-produte të qumështit, por është një shifër që është arritur të largohet nga tregu dhe janë produkte që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum”, tregoi ai.

Thaçi tregoi se asgjësimi i këtyre produkteve bëhet varësisht nga vendi se ku konfiskohet produkti. 

Ai tha se asgjësimi duhet të kryhet në deponi të caktuara nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.

“Varet nga vendi ku konfiskohet produkti, në qoftë se kemi të bëjmë me sasi të mëdha, ne gjithmonë vendosim që asgjësimi duhet të kryhet në deponi të caktuara nga ana e Ministrisë së Ambientit, janë deponitë regjionale në të cilat ne kryejmë asgjësimet”.

“Kur kemi të bëjmë me sasi të vogla me të cilat mund të kryhet asgjësimi me anë të mjeteve të Higjenoteknikës apo Pastrimit të cilat operojnë në regjione të caktuara ne kërkojmë që operatori ka kontratë sepse e ka obligim të ketë të kontraktuar operatorin në fjalë dhe këto kryhen nëpër mjetet e transportit të deponive të mbeturinave dhe gjithmonë asgjësimi kryhet me prezencën e inspektorit”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online )