Osmani: Dialogu do të udhëhiqet nga Qeveria, askush nuk mund ta negociojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës

  • 15 March 2020 - 12:42
Osmani: Dialogu do të udhëhiqet nga Qeveria, askush nuk mund ta negociojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme ka miratuar një rezolutë të propozuar nga dy partitë e koalicionit, lidhur me dialogun me Serbinë, ku thuhet se Qeveria e Kosovës është institucioni që ka mandatin që të udhëheqë bisedimet politike me Serbinë.

Rezoluta e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, u votua në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit të thirrur për buxhetin, pa praninë e opozitës.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë sot, përmes një postimi në Twitter, se me rezolutën e miratuar askush nuk mund të negociojë integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Kushtetuta jonë ishte e qartë – por edhe tani – ky është vullneti politik i Parlamentit të Kosovës i shprehur në një votim mbrëmë. Dialogu me Republikën e Serbisë do të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës. Askush nuk mund të negociojë integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin  kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar  Osmani, e cila ia postimit ia ka bashkangjitur tekstin e rezolutës së miratuar.

Në tekstin e rezolutës të miratuar, thuhet se “Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës”.

“Në përputhje me aktgjykimin e Gjyktës Kushtetuese, është Qeveria e Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedime dose dialogun me Serbinë dhe të bëjë përgatitjet përgatitje për negociata, e të negociojë lidhur me marrëveshjen e mundshme përfundimtare e cila do të përfundojë me njohje reciproke me Republikën e Serbisë”, thuhet në rezolutën e Kuvendit.

Kjo rezolutë, fillimisht ishte prezantuar para deputetëve në një seancë tjetër të jashtëzakonshme, të mbajtur më 11 mars, por në atë mbledhje nuk ishte hedhur fare në votim për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga opozita.

(Kosova Sot Online)