Dyfishohet numri i viktimave të koronavirusit në Spanjë, shkon në 288

  • 15 March 2020 - 17:01
Dyfishohet numri i viktimave të koronavirusit në Spanjë, shkon në 288

Ka shkuar në 288 numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi në Spanjë. Autoritetet kanë thënë se gati tetë mijë persona janë infektuar.

Qeveria spanjolle mori masa të ashpra për ta luftuar përhapjen e koronavirusit, duke ua ndaluar njerëzve daljen nga shtëpia, me përjashtim të rasteve urgjente dhe blerjes së ushqimit.

Me koronavirus merret vesh se është infektuar edhe bashkëshortja e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, i cili tha: “Nga ky moment po hyjmë në një fazë të re. Nuk do të ngurrojmë që të bëjmë atë që na nevojitet më së shumti në mënyrë që ta mposhtim virusin. Po e vendosim shëndetin në rend të parë.”

Policia spanjolle po patrullon në sheshe dhe po kërkon nga njerëzit që të kthehen në shtëpitë dhe në banesat e tyre, shkruan “Metro UK”.

Kryetarja e Barcelonës, Ada Colau, tha se gjendja emergjente është e nevojshme për t’i unifikuar përpjekjet e shtetit në mënyrë që të gjithë të shkojnë në të njëjtin drejtim. “Nëse tregojmë solidaritet dhe nëse mendojmë për njëri-tjetrin, do t’ia dalim”, shtoi ajo.

(Kosova Sot Online)