Komuna e Deçanit kërkon nga ministria e Shëndetësisë mjete mbrojtëse për QKMF-në

  • 15 March 2020 - 17:14
Komuna e Deçanit kërkon nga ministria e Shëndetësisë mjete mbrojtëse për QKMF-në

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka zhvilluar sot një takim me shtabin emergjent dhe bordin e drejtorëve, pas gjendjes së krijuar nga virusi COVID-19.

Në këtë takim është marrë vendim për reduktimin e numrit të punëtorëve në komunë si pjesë e masave parandaluese kundër kësaj sëmundjeje që ka prekur deri më tash pesë persona në Kosovë.

“Kabineti im, Drejtoria për Shëndetësi dhe ajo për Inspeksion me staf të kompletuar, kurse Administrata, Drejtoria e Financave, Drejtoria për Shërbime Publike me staf të reduktuar, ndërsa punëtorët tjerë të mos dalin në punë, deri në një vendim tjetër”, shkruan Ramosaj në Facebook.

Komuna e Deçanit ka kërkuar serish nga Ministria e Shëndetësisë që të sigurojë sa më shpejt që të jetë e mundur mjete mbrojtëse elementare për QKMF-në, policinë dhe zjarrfikësit.

(Kosova Sot Online)