Bavaria i ndan 10 miliardë euro për ta luftuar efektin e koronavirusit

  • 16 March 2020 - 12:04
Bavaria i ndan 10 miliardë euro për ta luftuar efektin e koronavirusit

Rajoni juglindor gjerman, Bavaria, njoftoi të hënën se e ka krijuar një fond prej 10 miliardë eurove për t’i luftuar efektet negative që mund t’i shkaktojë përhapja e koronavirusit. Ky rajon gjithashtu e shpalli gjendjen emergjente për shkak të rritjes së numrit të infektimeve.

Virusi Covid-19 është duke u përhapur shpejt në Gjermani. Qeveria federale ka vendosur kontrolle kufitare me Austrinë, Zvicrën, Francën, Luksemburgun dhe Danimarkën, ndërsa e ka mbyllur qarkullimin për udhëtarë në kufijtë me Austrinë, Francën dhe Zvicrën.

“Situata është shumë serioze dhe po ndryshon përditë, fatkeqësisht jo për të mirë. Ne nuk do ta braktisim askënd”, tha lideri i Bavarisë, Markus Soeder.

Në Bavari ndodhen disa nga kompanitë më të mëdha të Gjermanisë, përfshirë prodhuesit e veturave, Audi dhe BMW, gjigantin e teknologjisë, Siemens, dhe prodhuesin e veshmbathjeve sportive, Adidas.

Kompanitë që i kanë deri 250 punëtorë mund të marrin hua në këtë fond me shuma prej pesë mijë deri në 30 mijë euro, shkruan “Reuters”.

Ekonomia gjermane shënoi ngadalësim të rritjes në çerekun e katërt të vitit të kaluar dhe përhapja e koronavirusit e ka shtuar rrezikun për recesion në pjesën e parë të këtij viti.