Mot i ngrohtë gjatë tërë javës në Kosovë

  • 17 March 2020 - 10:38
Mot i ngrohtë gjatë tërë javës në Kosovë

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë pesë ditëve të ardhshme vendi ynë do të karakterizohet me mot stabil.

IHMK-ja në njoftimin zyrtar, parasheh se do të ketë më shumë orë me diell por edhe vranësira kalimtare.

“Sa i përket fushave termike ato do të pësojnë rritje graduale në vlerat e maksimaleve, ndërsa minimalet do të mbeten rreth vlerave të zeros. Nuk parashihet të ketë reshje të asnjë forme të paktën për këto pesë ditë të parashikimit”, thuhet në njoftim.

Në mëngjesin e së martës, njofton IHMK-ja, paraqiten disa ngrica të dobëta, por gjatë ditës grafiku i fushave termike do të shënoj rritje të dukshme.

“Temperaturat minimale gjatë gjithë javës do të lëvizin ndërmjet -2 deri 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-18 gradë Celsius. Dita e hënë do t’i shënoj vlerat e temperaturave më të ulëta, ndërsa dita e premte paraqitet si dita më e nxehtë me 18 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriu dhe verilindja me shpejtësi 1-5m/s. Kjo situatë meteorologjike do të jetë e favorshme që situata biometeorologjike dhe agrometeorologjike të jetë e mirë”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)