Haliti: Vitia po pastrohet e dezinfektohet, qytetarët kanë probleme të furnizohen me barna

  • 17 March 2020 - 11:48
Haliti: Vitia po pastrohet e dezinfektohet, qytetarët kanë probleme të furnizohen me barna

Gjendja në Komunën e Vitisë është e qetë, pavarësisht se shtatë prej të infektuarve me koronavirus vijnë nga kjo komunë dhe e gjithë komuna është në karantinë. Por, qytetarët po e kanë problem që të furnizohen me ushqim dhe barna, si dhe kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse. 

Kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti i ka thënë medias se nuk kanë pasur ndonjë rast të ri të dyshuar me koronavirus, derisa ka folur edhe për gjendjen e të infektuarve nga kjo komunë. Sipas Halitit, përveç 77-vjeçarit, gjendja e të tjerëve është e mirë. 

Haliti ka thënë se qytetarët nga kjo komunë po e kanë problem që të furnizohen me ushqim dhe barna dhe se po kanë mungesë të pajsijeve mbrojtëse.

 “Gjendja është e qetë. S’ka panik të qytetarët. Jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat. Nuk ka pas ndonjë rast të ri të dyshimtë. Gjendja e të infektuarve është e mirë, përveç 77-vjeçarit që ka qenë pak më keq. Jemi duke e pastru dhe dezinfektu qytetin. Por, na ka dalë problem se Qeveria e ka fut në karantinë Vitinë e Klinën, e Kllokotin që gjendet në mes jo. Qytetarët po e kanë problem me u furnizu me ushqim dhe medikamente, si dhe kemi mungesë të pajisjeve mbrojtëse”, ka thënë Haliti për media.

Ndryshe, mbrëmë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se është konfirmuar edhe një rast i ri me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 16.

Përmes një njoftimi në faqen zytare në Facebook, IKSHP-ja ka bërë me dije se e infektuara ka arritur dje nga Londra dhe se gjendja e saj është stabile.

“Pas mesnate në laboratoret e IKSHPK u konfirmua 1 (një)  rast i ri pozitiv me COVID-19. Personi i gjinisë femrore, shtetase e Kosovës ka arritur të hënën në Kosovë nga Londra. Gjendja e saj është stabile. Deri tani në laboratoret e IKSHPK u testuan 271 persona prej të cilëve kanë rezultuar 16 pozitiv në SARS CoV-2”, thuhet në njoftim.

IKSHP’ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë distancë nga tjeri dhe që të reduktojnë daljet përveç në raste emergjente.

“Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.

(Kosova Sot Online)