Një fëmijë vdes nga zjarri në kampin e refugjatëve në Greqi

  • 17 March 2020 - 12:52
Një fëmijë vdes nga zjarri në kampin e refugjatëve në Greqi

Një fëmijë ka vdekur nga një zjarrë që shpërtheu në kampin e refugjatëve në ishullin Lesbos të Greqisë, bënë të ditur zjarrfikësit grekë. Zjarri kishte filluar në një barakë brenda kampit dhe u përhap më tepër nga era e madhe.

Autoritetet nuk e kanë publikuar emrin e viktimës dhe ende nuk dihet shkaktari i zjarrit, shkruan “The Guardian”.

Azizi, njëri nga banorët e këtij kampi, tregoi për panikun që u krijua pas shpërthimit të zjarrit. “Unë nuk isha në kamp në kohën e zjarrit, por familja ime jeton në një barakë afër vendit të ngjarjes. Kur dëgjova për zjarrin, u mundova të futem në kamp, por kishte shumë njerëz që po përpiqeshin të dilnin jashtë”, tha ai.

Ky kamp ka mijëra njerëz më tepër sesa që ka kapacitete. Ndonëse i ndërtuar për vetëm tre mijë banorë, në të tashmë janë vendosur mbi 19 mijë refugjatë, në bazë të statistikave të publikuara nga qeveria greke.

Një zyrtar i organizatës “Mjekët pa Kufij” i kritioi autoritetet greke dhe evropiane për kushtet e rënda në këto kampe. “Autoritetet greke dhe evropiane, të cilat po vazhdojnë t’i mbajnë njerëzit në këto kushte të panjerëzishme, e kanë një përgjegjësi për përsëritjen e këtyre skenave dramatike”, tha Stephan Oberreit nga kjo organizatë.

(Kosova Sot Online)