Shkon në 108 numri i të vdekurve nga koronavirusi në ShBA

  • 18 March 2020 - 08:45
Shkon në 108 numri i të vdekurve nga koronavirusi në ShBA

Ka shkuar në 108 numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Virusi i ri tashmë i ka përfshirë të gjitha 50 shtetet pasi Virgjinia Perëndimore e raportoi rastin e parë të martën.

Qyteti i Nju Jorkut është duke e shqyrtuar mundësinë e vendosjes së karantinës së ngjashme me atë në San Francisko. Numri i të infektuarve në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në mbi 6 mijë e 300 persona, shkruan “BBC”.

Në kohën kur administrata e presidentit Trump i ka kërkuar 1 trilion dollarë ndihmë ekonomike, sekretari amerikan i thesarit, Steven Mnuchin, raportohet se i ka paralajmëruar senatorët republikanë në mënyrë private se nëse Kongresi dështon të marrë masa, shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara mund të shkojë në 20 për qind.

Ndërkohë zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka thënë se Shtëpia e Bardhë mund ta angazhojë ushtrinë për të ndërtuar spitale fushore në vendet ku ka më së shumti raste të koronavirusit, nëse një gjë e tillë kërkohet nga guvernatorët e shteteve.

Ai gjithashtu e premtoi hapjen e 14 laboratoreve të certifikuara të ushtrisë, ku do të testohet për koronavirus personeli civil.

Të martën, Florida iu bashkua 11 shteteve të tjera për mbylljen e kafenenve dhe restoranteve si pjesë e masave për parandalimin e përhapjes së virusit të ri.

(Kosova Sot Online)