Plaka 103-vjeçare në Iran shërohet nga koronavirusi

  • 18 March 2020 - 09:13
Plaka 103-vjeçare në Iran shërohet nga koronavirusi

Një grua 103-vjeçare iraniane është shëruar nga infektimi me koronavirus, nga i cili kanë vdekur mijëra njerëz në mbarë botën.

Sipas rektorit të Universitetit të Shkencave Mjekësore “Semnan”, Nevid Danayi, zonja e moshuar tashmë është liruar nga spitali, duke u bërë personi i dytë më i moshuar që shërohet nga virusi i njohur edhe si Covid-19.

Ky zyrtar nuk e zbuloi identitetin e të mbijetuarës, por theksoi se ajo është shëruar plotësisht, shkruan “Anadolu”.

Para një jave, autoritetet kineze thanë se një person 103-vjeçar është liruar nga spitali pasi ishte shëruar nga koronavirusi për vetëm gjashtë ditë.

Mjekët kanë thënë se personat e moshuar bëjnë pjesë në grupin e atyre që janë më të rrezikuar nga virusi i ri për shkak të imunitetit të dobësuar dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore më të rënduar.

Deri më tani, gati 200 mijë njerëz janë infektuar me koronavirus në mbarë botën, kurse mbi 7 mijë e 900 kanë vdekur. Rreth 82 mijë të infektuar tashmë janë shëruar.

(Kosova Sot Online)