Koronavirusi godet rëndë ekonominë e Kosovës

  • 18 March 2020 - 10:36
Koronavirusi godet rëndë ekonominë e Kosovës

Si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit, e gjithë bota do të përballet me një ngadalësim të aktivitetit ekonomik, thonë ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Edhe në Kosovë, pasojat në ekonomi, sipas tyre, pritet të jenë të mëdha. Rritja ekonomike, thonë ata, do të jetë shumë më e ulët krahasuar me parashikimet e bëra nga institucionet e vendit.

Qeveria e Kosovës, në buxhetin për vitin 2020, ka parashikuar një rritje prej 4,2 për qind.

Por, kjo rritje ekonomike e parashikuar nga Qeveria e Kosovës, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, nuk do të arrihet, pas gjendjes së krijuar nga koronavirusi i ri.

Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasojat ekonomike nga kjo gjendje e cila është aktualisht në shumë vende të botës dhe në Kosovë, do të jenë të mëdha.

“Në aspektin global rritja ekonomike nga 2.8 për qind do të jetë e pamundur të arrihet do të këtë diku afër 2 për qind. Edhe në Kosovë efektet do të jenë të tilla që rritja ekonomike do të jetë minore, por esenca është që të kemi një orientim ku mbështetet sektori privat që pasojat të jenë më të vogla”, thotë Gërxhaliu.

Ai shton se autoritetet e Kosovës duhet të tregohen të vëmendshme karshi kësaj situate në të cilën ndodhet vendi. Nëse sektori privat, shton Gërxhaliu, do të ballafaqohet me vështirësi, pasojat do t’i bartin edhe qytetarët, pasi që bizneset nuk do të mund t’i përmbushin obligimet e tyre nëse nuk do të kenë aktivitet ekonomik.

“Pasojat nga koronavirusi në aspektin ekonomik do të jenë të mëdha për faktin se Qeveria e Kosovës nuk e ka të qartë qasjen se si do të ballafaqohet me pasojat e kësaj krize. Në këtë drejtim kam dronë që sektori privat do të jetë ai që do të jetë më i atakuari”.

“Nëse do të kemi sektorin privat më të atakuarin, barra pastaj do të bie mbi qytetarët dhe në këtë drejtim, pastaj cila do të jetë qasja institucionale. Unë pajtohem që duhet të kemi kujdes që interesi për mbrojtjen e qytetarit është shumë më i madh se në biznes, por edhe sektorit privat duhet t’i gjenden mundësi të lehtësimit”, thotë Gërxhaliu.

(Kosova Sot Online)