Fëmija dymuajsh sirian humb njërin sy nga sulmi i forcave të Asadit

  • 18 March 2020 - 11:38
Fëmija dymuajsh sirian humb njërin sy nga sulmi i forcave të Asadit

Abdulrahman Jabi, një fëmijë dymuajsh nga Siria, e ka humbur njërin sy gjatë një sulmi të forcave të diktatorit Bashar al-Assad në Idlib.

Më 5 mars, shtëpia e familjes së vogëlushit u bombardua nga forcat e regjimit dhe grupet aleate, të cilat përkrahen nga Irani. Ky sulm kishte ndodhur disa ditë para armëpushimit të ri, i cili ishte arritur pas shkeljeve të vazhdueshme të marrëveshjeve paraprake për armëpushim.

Djali i vogël u lëndua seriozisht nga copat e granatës, të cilat i ranë në syrin e djathtë. Ai u dërgua në një spital afër kufirit me Turqinë për t’ia shpëtuar syrin, por lëndimi ishte shumë i rëndë.

Ndonëse atij tashmë i është vendosur një sy artificial, kjo nuk do ta lehtësojë pikëllimin e familjes së tij, transmeton Gazeta Express.

Duke folur për agjencinë e lajmeve “Anadolu”, babai i fëmijës, Zahir Jabi, tha se familja e tij është e pastrehë dhe kërkoi ndihmë për të gjetur strehim.

Babai i tre fëmijëve tregoi për jetën e vështirë pasi nëna iu vra në një sulm të ngjashëm në të njëjtën shtëpi pesë vjet më parë.

Ai tregoi e mjekët vetëm kishin arritur t’ia ndalnin gjakderdhjen nga koka djalit, por nuk patën mundësi t’ia shpëtojnë syrin.

Ndryshe, lufta civile në Siri ka filluar në vitin 2011. Prej asaj kohe, qindra mijëra civilë janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre në njërën nga krizat më të rënda në botë në dekadat e fundit.

(Kosova Sot Online)