Behrami: VV’së e Haki Abazit në çdo hap që bëjnë iu përfytyrohet Thaçi

  • 18 March 2020 - 11:48
Behrami: VV’së e Haki Abazit në çdo hap që bëjnë iu përfytyrohet Thaçi

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje që është duke kundërshtuar propozimin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

Behrami përmes një statusi në Facebook ka përmendur edhe disa prej shteteve në botë që kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si Zvicra, Franca, Norvegjia e Spanja.

“Masat të cilat janë ndërmarrë janë radikale, por kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe sidomos largimin e rrezikut nga kolapsi i sistemit të shëndetësisë. Derisa Kosova, me një sistem të dobët të shëndetësisë, me mbi gjysmën e popullatës nëpër parqe nacionale dhe vende publike ende vazhdon debatin se a duhet apo jo të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, shton ai.

Këshilltari i presidentit thotë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është bërë me kërkesë të shtuar nga partitë në Kuvendin e Kosovës.

“Kompetencat e Presidentit burojnë nga Kushtetuta dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, përveç institucioneve shtetërorë, është bërë në koordinim dhe me kërkesë të shtuar nga partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Por, sa herë që nuk kanë vizion, ide dhe plan për Kosovën, Vetëvendosje dhe Haki Abazi nga halucinacionet iu parafytyrohet Hashim Thaçi në çdo hap që bëjnë! Leni ndasitë, hajde të bëhemi bashkë dhe ta luftojmë këtë pandemi, e cila ka vënë në sprovë shtetet dhe sistemet më të mira në botë”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)