Mbi 2600 mjekë e infermierë italianë të infektuar me koronavirus

  • 18 March 2020 - 14:35
Mbi 2600 mjekë e infermierë italianë të infektuar me koronavirus

Numri i pjesëtarëve të personelit mjekësor që janë infektuar me koronavirus në Itani ka shkuar në 2 mijë e 629 ose 8.3 për qind e të gjitha rasteve. Këto të dhëna u publikuan në raportin e Fondacionit Gimbe, i cili mbështetet në statistikat e Institutit të Lartë të Shëndetit.

Rezultatet e këtij hulumtimi u publikuan të mërkurën nga kryetari i fondacionit, Nino Cartabellotta, përmes rrjetit social, Twitter.

“Numri i punëtorëve shëndetësorë të infektuar është i lartë”, tha Cartabellotta për agjencinë e lajmeve, ANSA. Ai shtoi se shifra prej 8.3 për qind e rasteve të përgjithshme është më shumë se dyfishi i mjekëve të infektuar në Kinë, në krahasim me shifrën e përgjithshme të të infektuarve atje.

Italia është vendi më i goditur në Evropë nga virusi i ri. Deri të martën, në këtë shtet kanë vdekur 2503 njerëz dhe mbi 26 mijë janë infektuar.

Ministrja e transportit, Paola De Micheli, paralajmëroi të mërkurën se masat e karantinës mund të mbeten në fuqi edhe pas 3 prillit, që paraprakisht ishte vendosur si afat i përfundimit të tyre.

(Kosova Sot Online)