Jeta në izolim dhe përballja e Kosovës me koronavirus

  • 19 March 2020 - 09:13
Jeta në izolim dhe përballja e Kosovës me koronavirus

Në kuadër të masave të cilat Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë për t’u përballur me koronavirusin e ri, është edhe sugjerimi ndaj qytetarëve të Kosovës që t’i kufizojnë lëvizjet dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ekspertët e çështjeve të sociologjisë, vlerësojnë që izolimit ose vetizolimit, si masë parandaluese ndaj koronavirusit, qytetarët e vendit duhet t’i qasen nga këndi pozitiv dhe t’i japin jetës kuptim, në mënyrë që të ruajnë, kultivojnë, por edhe ndërtojnë segmente të shëndosha të jetës sociale.

Sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë që fillimisht qytetarët duhet ta kuptojnë drejtë që ky izolim është për të mirën e tyre dhe se është i përkohshëm.

“Derisa jemi brenda, ne duhet t’i japim jetës kuptim me punën tonë, me sjelljet tona, me relacionet tona brenda familjes, me ato potencialet tona që i kemi, qoftë për informim, qoftë për zbavitje, qoftë për lexim, qoftë për ndonjë angazhim tjetër që dikush mund ta ketë në kuptimin e zanateve ose në kuptimin e artit. Në këtë situatë, që po i themi ‘karantinë’, mendoj që do ta zbulojmë njëri-tjetrën dhe do ta zbulojmë ndoshta edhe vetveten. Duhet vetëm të kujdesemi që ta plotësojmë këtë boshllëk të punës zyrtare me relacione të mira familjare dhe njerëzore”, vlerësoi Krasniqi.

InfografikëSi të përballeni me stresin gjatë shpërthimit të koronavirusit?

Edhe sociologu Fadil Maloku, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që qytetarët duhet të adaptohen me rrethanat e reja, të cilat me paraqitjen e koronavirusit, janë të natyrshme dhe të kuptueshme. Por, sipas tij, kjo duhet të manifestohet me mirëmbajtje të brendësisë sociale, por edhe menaxhimit të jetëve të secilit veç e veç, si dhe raporteve me familjarët, e të cilat në situata të ngjashme janë më të afërta.

“Unë kujtoj që për ne, si një komb i vonuar, i cili ende në brendësinë dhe mentalitetin e vet, si dhe në sjelljet e veta sociale, i ka ruajtur apo konservuar disa sjellje dhe mirësjellje, të cilat, në fakt, e kanë mbajtur dhe ushqyer atë, siç janë solidariteti, mirëkuptimi, ndihma. Mendoj që këto nuk i kemi shkëputur dhe margjinalizuar. Këto, tash, mund të na hyjnë në punë, në qoftë se ne jemi më insistues, në kuptimin që duke përdorur këto norma dhe sjellje, t’i fusim me qëllim të ruajtjes të shëndetit publik dhe shëndetit familjar”, tha Maloku.

FotogaleriKoronavirusi ‘zbraz’ Prishtinën

Sociologu Krasniqi shpreh mendimin se izolimi fizik, gjatë përballjes me koronavirusin, nuk nënkupton që izolim në komunikimin me jashtë.

“Ne jemi të mbyllur vetëm fizikisht, sepse, në kuptimin e informimit dhe të lidhjeve virtuale, jemi të hapur, në fakt, me gjithë botën. Mund të komunikojmë me të afërmit, me miqtë që i kemi gjithandej nëpër botë, me familjarët dhe të tjerë. Mundësitë na ofron teknologjia për të komunikuar me të tjerët dhe që t’i vazhdojmë relacionet tona sociale që i kemi”, tha Krasniqi.

*Video: Izolimi nuk ua ndal festën italianëve

Ndërkaq, sociologu Maloku, vlerëson që izolimin, si masë mbrojtëse dhe parandaluese ndaj koronavirusit, qytetarët duhet ta marrin me optimizëm dhe si masë mobilizuese.

“Këtë izolim apo këtë vetizolim ta marrin me sportivitet dhe jo me panik, për shkak se është e vërtetë që frika është njerëzore. Por, në momentin kur frika shndërrohet në panik ajo është e dëmshme. Përderisa mbetet si e tillë, si frikë, unë mendoj që ajo është mjaft mobilizuese dhe si e tillë e mban dhe e ushqen edhe këtë tipin e solidaritetit për të cilin po flasim ne”, u shpreh Maloku.

Që nga 11 marsi, është ndërprerë procesi mësimor në të gjitha objektet shkollore dhe universitare, në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë. Gjithashtu, pjesa më e madhe e bizneseve, të cilat operojnë në ambiente të mbyllura, përveç shitoreve të produkteve ushqimore dhe të konsumit të përditshëm, si dhe barnatoreve, janë mbyllur dhe po ashtu edhe shërbimet publike, përveç atyre shëndetësore dhe të sigurisë.

Një numër i të punësuarve në sektorin publik, por edhe privat, tashmë janë duke punuar nga shtëpitë e tyre, në formë elektronike, përmes internetit, ndërkohë që edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Qeverinë e Kosovës është duke bërë përpjekje për të filluar mësimin online, pas gjendjes së krijuar nga përhapja e koronavirusit të ri.

(Kosova Sot Online)