Reagon raportuesja për Kosovën në PE: Mocioni i LDK’së, katastrofik

  • 19 March 2020 - 13:17
Reagon raportuesja për Kosovën në PE: Mocioni i LDK’së, katastrofik

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka paralajmëruar fatkeqësi për tërë rajonin, nëse në Kosovë iniciohet mocioni për mosbesimin e qeverisë.

“Nëse LDK-ja paraqet mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, pjesë e së cilës është, atëherë një gjë e tillë do të nënkuptonte katstrofë, jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin”, ka shkruar në “Twitter” Viola von Cramon.

Von Cramon ka qenë edhe udhëheqëse e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës të mërkuren e ka paralajmëruar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti. Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, e thirrur pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka arsyetuar mocionin duke thënë se partneri i koalicionit, VV-ja, ka shkelur në disa pika marrëveshjen për bashkëqeverisje. Ka folur edhe për mospajtimet rreth taksës ndaj mallrave të Serbisë, për çka LDK-ja insiston që të hiqet plotësisht dhe pa kushte, siç po kërkon SHBA-ja.

(Kosova Sot Online)