Haradinaj: Kurti e Osmani gabuan, taksa nuk ka qenë mjet i përhershëm

  • 20 March 2020 - 12:31
Haradinaj: Kurti e Osmani gabuan, taksa nuk ka qenë mjet i përhershëm

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj në intervistën e dhënë për një emision pasi doli nga takimi me Isa Mustafën, ku folen për rrezimin e Qeverisë Kurti, nuk e sheh si të prerë cështjen e tarifës ndaj Serbisë, që ai vetë e ka vendosur. Sipas Haradinajt, taksa nuk është dashur të shihet nga Albin Kurti e Vjosa Osmani si “mjet i përhershëm”.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj thotë se Kryeministri Albin Kurti ka gabuar kur ofertoi ta hiqte tarifën ndaj produkteve serbe për ta zëvendësuar me reciprocitet.

“Kurti ka zgjedhur mënyrën më të keqe për ta hequr taksën. Ka ofertu para zgjedhjeve për ta hequr taksën, ka dhënë ofertë ai dhe zonja Osmani”, ka thënë fillimisht Haradinaj kur u pyet për cështjen e tarifës, mbajtja e së cilës numërohet si një ndër arsyet që prishi partneritetin mes LDK’se e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haradinaj.

LDK’ja edhe sot i jep afat Kurtit që ta heqë tarifën ndaj Serbisë për ta vazhduar bashkëpunimin në Qeveri, për të cilën partia e Mustafës ka nisur mocion mosbesimi.

Haradinaj thotë se tarifa e vënë nga ai nuk ka qenë mjet i përhershëm. Sipas kreut të AAK’së, tarifa është dashur të përdorët përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“Mirëpo këta gabuan sepse taksa nuk ka qenë një mjet i përjetshëm. Taksa është vendosur me ia kriju një kundërvlerë, në këtë rast edhe Amerikës, kur të bisedon me Serbinë për ne, për një marrëveshje kualitative, përmbajtësore. Duke e ofertu heqjen e taksës, nuk ia mundësuan amerikanëve që të kenë dicka në dorë për ne, për Kosovën përballë Serbisë”, ka thënë Haradinaj.

“Kosova kur ta heqë taksën, do ta heqë taksën. Atëherë Kosova do të jetë e sigurt se nuk ka ndarje apo ndonjë dallaver”, shton ai.

Ish-kryeministri beson se angazhimi intensiv i SHBA’së në dialogun Kosovë-Serbi tregon që ka një draft-marrëveshje të bërë gati. Ai thotë se Qeveria e re duhet ta kërkojë ta sheh këtë marrëveshje, dhe nëse ajo garanton se do të ketë njohje reciproke me Serbinë, pa ndarje të Kosovës, atëherë taksa duhet të hiqet.

“Qeveria e re duhet me bisedu se a është taksa mjet me u ndalë ndarja, unë jam me e mbajtë. Nëse taksa hiqet pa një marrëveshje për njohje mes Kosovës dhe Serbisë, pa një marrëveshje finale për njohje, jemi ka ngutemi. Nëse amerikanët kanë hy në mes, me siguri ekziston një draftmarrëveshje. Ajo draftmarrëveshje duhet t’i jepet Kosovës. Kosova duhet me e analizu atë draftmarrëveshje, nëse konsideorjnë se përmbush kërkesat e Kosovës, atëherë duhet të hiqet taksa”, ka thënë Haradinaj.

Derisa në fillim ish-kryeministri e akuzon pasardhësin e tij se e hoqi tarifën, më vonë thotë se Kurti i ka gënjyer amerkanët dhe nuk e ka hequr tarifën, prandaj SHBA’ja është e hidhëruar me Kryeministrin Kurti.

“Në vend që me iu thënë amerikanëve se unë po jau jepi taksën, por cfarë më jepni ju mua. Amerikanët janë të hidhëruar me të sepse rrejti që e heq taksën e nuk e hoqi”, ka thënë Haradinaj. 

(Kosova Sot Online)