Personeli mjekësor i Vitisë në karantinë, do të mësojnë sot se a janë prekur me COVID 19

  • 20 March 2020 - 14:59
Personeli mjekësor i Vitisë në karantinë, do të mësojnë sot se a janë prekur me COVID 19

Sot po bëhen një javë që nga dita kur personeli mjekësor i ambulancës në Viti janë në karantinë, meqenëse të njëjtit kishin pasur kontakt me ambientin ku ishte trajtuar 77-vjeçari, i infektuar me koronavirus. Por, ndonëse kanë kaluar kaq ditë prej se është konfirmuar se pacienti që ata kanë trajtuar është i infektuar me COVID-19, personelit mjekësor u janë marrë mostrat tek sot.

Lajmin për media e ka konfirmuar Drejtoresha e Qendrës Kyresore të Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli.

Kadolli ka thënë se gjendja e personelit mjekësor është e mirë dhe se asnjë prej tyre nuk ka shfaqur simptoma.

“Po, sa ishin ekipet dhe na i morën mostrat, tash t’i presim rezultatet. Janë testu të gjithë. Gjendja e tyre është e mirë, asnjëri s’ka shfaq ndonjë simptomë të koronavirusit. Të shohim tash”, ka thënë Kadolli për media.

Rezultatet për këto mostra pritet që të dalin sot gjatë ditës. Infektologu Salih Ahmeti ka thënë se nuk mund të japë shifër të saktë për numrin e mostrave që janë dërguar në IKSHP, por se rezultatet dalin gjatë ditës.

“Po dhe gjatë ditës së sotme kemi dërguar mostra për analiza. Me shifër nuk e di saktë sa, mirëpo janë dërguar disa. Rezultatet pritet të dalim gjatë ditës”, ka thënë për media.

Ndryshe, mbrëmë është konfirmuar edhe një rast i ri me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në të gjithë vendin të shkojë në 21. Bëhet fjalë për një person me vendqëndrim në Janjevë të Lipjanit, një burrë i moshës 46-vjeçare, i cili ishte kthyer nga Berlini me aeroplan më 11 mars.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 21 persona të prekur me virusin COVID-19. Rastet e paraqitura janë nga qytetet si Klina, Malisheva, Podujeva, Vitia që janë izoluar. 

(Kosova Sot Online)