Abdixhiku: Sonte kthehen edhe 96 qytetarë të tjerë në Prishtinë

  • 20 March 2020 - 15:44
Abdixhiku: Sonte kthehen edhe 96 qytetarë të tjerë në Prishtinë

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sonte do të kthehen edhe 96 qytetarë në Prishtinë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku i ka lutur qytetarët që të paraqiten për kthim vetëm nëse kanë ndonjë urgjencë, për shkak të kapaciteteve të ngarkuara në vend.

“Ju lus, edhe një herë, për shkak të kapaciteteve të ngarkuara në Kosovë, të paraqiteni për kthim vetëm nëse keni urgjencë. Secili i kthyer vendoset në karantinë. Na jepni kohë të organizohemi më mirë. Jepni prioritet të njerëzve me nevojë. Si shtet e kemi detyrë e obligim të kujdesemi për secilin qyterarë tonin kudo që është”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka njoftuar se ka biseduar edhe me Ministrin e Mbrojtjes, Anton Qunin rreth vështirësive të trasnportit të sigurtë për në karantinë.

“Kur mbetëm keq e na duhej ndihmë, i telefonova Antonit. I shpjegova vështirësitë e transportit të sigurtë për në karantinë – pa rrezikuar shëndetin publik. Dhe si ushtarak që është më pyeti thjeshtë “A ka mbetë puna tek ne? Na leni këtë pjesë.”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)