Situatë e qetë në Pejë, një rast i dyshuar me koronavirus rezultoi negativ

  • 21 March 2020 - 11:02
Situatë e qetë në Pejë, një rast i dyshuar me koronavirus rezultoi negativ

Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, ka folur për situatën aktuale në komunën e Pejës, në betejë me COVID 19.

Muhaxheri ka konfirmuar se Peja mbetet e paprekur nga rastet e shënuara me COVID 19 apo koronavirus.

“Situata është e qetë. Qytetarët po e respektojnë çdo thirrje të nxjerrë nga institucionet në masë të madhe. Lajm i mirë është se mbrëmë ka qenë një rast me vlerësim mjekësorë nga personeli i Pejës, se ka dyshime, por i njëjti ka rezultuar NEGATIV. Rasti në fjalë, është karantinuar me rekomandim të mjekëve. Kjo për të qenë të sigurt të gjtihë. Pra Peja është pa raste, fatmirësisht.”-konfirmoi Muhaxheri në ‘RADIO 1’.

Ndryshe rasti i dyshimtë i mbrëmshëm, për të cilin foli Muhaxheri, është emër i njohur për redaksinë dhe këto ditë ishte kthyer në Pejë nga Anglia.

Kryetari Muhaxheri ka thënë se masat e reja të nxjerra nga Qe veria duhet respektuar në përpikëri, në mënyrë që ta shkurtojmë rrugën e daljes nga situata pandemike.

“Qytetarët e Pejës duhet respektuar masat e kërkuara. Edhe autoritetet policore po e bëjnë punën e tyre dhe duhet mirëkuptuar.”-shtoi Muhaxheri.

(Kosova Sot Online)