Këshilltari i Presidentit thotë se Qeveria shkeli Kushtetutën kur vendosi për orë policore

  • 22 March 2020 - 16:30
Këshilltari i Presidentit thotë se Qeveria shkeli Kushtetutën kur vendosi për orë policore

Adil Behramaj, këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit ka kritikuar propozimet që  të shpallet “orë policore” që nga ora 21:00 e mbrëmjes e deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Behramaj është shprehur se kufizimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm kur shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme. Në të kundërtën, sipas tij, asnjë institucion nuk ka mandat t’ua mohojë atyre liritë dhe të drejtat themelore.

Ky është postimi i plotë i Behramajt:

Nëse Qeveria e Kosovës ka marrë zyrtarisht vendim për “orën policore”, duke ndaluar lëvizjen e njerëzve nga ora 21:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ajo sapo paska marrë një vendim të kundërligjshëm dhe antikushtetues.

Kufizimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve mund të bëhet vetëm kur shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme. Në të kundërtën, asnjë institucion nuk ka mandat t’ua mohojë atyre liritë dhe të drejtat themelore.

Nëse e ka marrë një vendim të tillë, Qeveria e Kosovës ka shkelur një mori nenesh të Kushtetutës së Kosovës, që specifikohen shumë qartë në Nenin 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme].

“Neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme]

1. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna.

2. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38 të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash”, thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kosova nuk ka ligj për “orë policore” dhe në Nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore], paragrafi 1 i Kushtetutës, thuhet se të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.

Po ashtu, as Ligji Nr. 04/-L-027 për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera dhe as Ligji Nr. 02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse nuk e parashohin mundësinë për një kufizim të tillë.

Përndryshe, Gjendja e Jashtëzakonshme mund të shpallet edhe pa pajtueshmërinë e Qeverisë së Kosovës. Presidenti e ka obligim kushtetues të konsultohet me kryeministrin, por nuk e ka të nevojshme ta marrë pajtimin apo mospajtimin e tij. Për dekretin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme vendosin më pas deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Duke iu referuar pikës 4 të nenit 131 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti e ka konsultuar kryeministrin për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë ka kërkuar nga kryeministri dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë, që ta mbajnë edhe një takim të radhës në ditën e nesërme, ku do të koordinoheshin masat e domosdoshme me rastin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Për një takim të radhës në ditën e nesërme aty nuk ishte pajtuar kryeministri dhe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës, në frymën e nenit dhe paragrafit përkatës që e obligon kryeministrin, presidenti i ka dërguar sërish kërkesë me shkrim për mbajtjen e takimit të radhës së Këshillit të Sigurisë për t’i finalizuar masat që do të duhej të ishin në dekretin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Kryeministri është përgjigjur me një shkresë, ku ka theksuar se ndërkohë do të procedohet kërkesa e presidentit për thirrjen e takimit të Këshillit të Sigurisë. Por, duke mos e mbledhur Këshillin e Sigurisë në përputhje me kërkesën e presidentit, kryeministri ka bërë shkelje të nenit 127, paragrafit 3 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 5, paragrafi 5.4 të Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë.

Dekreti dhe masat për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme janë kompletuar nga ana e Zyrës së Presidentit, por në mungesë të takimit të radhës së Këshillit të Sigurisë nuk është arritur ende që të merren edhe rekomandimet e anëtarëve tjerë të këtij këshilli, që vijnë nga radhët e Qeverisë së Kosovës.

Dekreti mund të procedohet edhe pa rekomandimet e tyre dhe të hyjë në fuqi pas votimit nga ana e deputetëve, por Qeveria më pas obligohet t’i zbatojë të gjitha masat, prandaj është e nevojshme që të bashkëpunojnë, të kontribuojnë me rekomandimet e tyre dhe bashkërisht ta bëjmë këtë betejë.

(Kosova Sot Online)