Guvernatori Mehmeti: Koronavirusi do të ndikojë në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve

  • 22 March 2020 - 21:18
Guvernatori Mehmeti: Koronavirusi do të ndikojë në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka folur rreth pasojave që do të jenë në ekonominë e Kosovës pas gjendjes së krijuar nga koronavirusi i ri i cili tanimë ka prekur pothujse të gjitha shtetet e botës.

Mehmeti thotë se shpërndarja e virusit COVID-19 ka krijuar një situatë të re në gjithë botën dhe pasojat për ekonominë pa dyshim se do të jenë evidente.

Sipas tij, pamundësia e bizneseve për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë normale do të ndikojë në punësimin dhe të ardhurat e qytetarëve, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në rënien e konsumit”.

“Për më tepër, zhvillimet e pafavorshme ekonomike në vendet e zhvilluara në Kosovë pritet të ndjehen edhe përmes dobësimit të mundshëm të rrjedhës së dërgesave të emigrantëve, gjë që pritet të dobësojë edhe më tutje aftësinë e qytetarëve për të financuar konsumin”, thotë Mehmeti.

Ai shtoi se Banka Qendrore e Kosovës ka marrë një numër masash me qëllim të sigurimit të funksionimit normal të sektorit bankar dhe zbutjes së efekteve të kësaj situate në ekonomi.

Këto masa, sipas Mehmetit, përfshijnë funksionimin e mirë të sistemit të pagesave dhe ekzekutimi i rregullt i pagesave, furnizimin e mjaftueshëm të parave në të gjithë vendin.

Po ashtu, shton Mehmeti, së bashku me drejtorët ekzekutiv të bankave dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë marrë vendim që të lejojnë një periudhë mospagimi për pagesat e kësteve të kredisë duke filluar nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020, dhe në varësi të zhvillimeve të situatës kjo periudhë mund të zgjatet sipas gjykimit të bankave.

Ndërkohë, sa i përket rritjes ekonomike e cila ishte parashikuar nga Qeveria e Kosovës të jetë 4,2 për qind në vitin 2020, Mehmeti thotë se kjo situatë e krijuar nga koronavirusi mund ta pamundësojë këtë rritje.

“Vazhdimi i kësaj situate e pamundëson realizimin e normës së paraparë të rritjes ekonomike, mirëpo është ende herët të flasim më konkretisht rreth parashikimeve të rritjes meqë ka shumë pasiguri rreth zhvillimeve të pritshme dhe madhësisë së efekteve që mund t’i shkaktojë situata e krijuar”, thotë Mehmeti.

Si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit edhe ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë kanë theksuar se e gjithë bota do të përballet me një ngadalësim të aktivitetit ekonomik.

Në prononcimet për Radion Evropa e Lirë, ekspertë të fushës ekonomike dhe finaciare kanë kërkuar nga autoritetet e vendit që të tregohen të vëmendshme karshi kësaj situate në të cilën ndodhet vendi.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ditë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nëse sektori privat do të ballafaqohet me vështirësi, pasojat do t’i bartin edhe qytetarët, pasi që bizneset nuk do të mund t’i përmbushin obligimet e tyre nëse nuk do të kenë aktivitet ekonomik.

Ndërkaq, Mejdi Bektashi ekspert i çështjeve financiare, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejt të dalë me pakon stimulative që duhet të jetë disa dhjetëra miliona euro me qëllim që të parandalojë falimentimin e shumë bizneseve që drejtpërsëdrejti do të ndikonin në përkeqësimin e situatës ekonomike dhe financiare në vend.

Në Kosovë, tashmë janë shënuar 31 raste me koronavirus.

Qeveria e Kosovës ka marrë masa të shumta parandaluese. Këto masa përfshijnë mbylljen e bareve, restoraneve dhe qendrave tregtare, parqeve, por jo edhe të dyqaneve ushqimore dhe farmacive.

(Kosova Sot Online)