Pavarësisht rrezikut nga koronavirusi dhe thirrjeve për qëndrim në shtëpi vjedhjet në Kosovë nuk ndalen

  • 22 March 2020 - 21:58
Pavarësisht rrezikut nga koronavirusi dhe thirrjeve për qëndrim në shtëpi vjedhjet në Kosovë nuk ndalen

Ardhja e koronavitusit në Kosovë dhe thirrjet për qëndrim në shtëpi nuk ndalën vjedhjet

Më datë 13 të këtij muaji Kosova konfirmoi dy rastet e para me koronavirus. Autoritetet shëndetësore, politike dhe ato të sigurisë menjëherë morën masa ndër të cilat ishte edhe thirrja për qëndrim në shtëpi.

Por kjo nuk duket se ka ndikuar shumë sa u përket vjedhjeve dhe tentim vjedhjeve.

Në raportet 24 orëshe të policisë javën e fundit nuk mungojnë rastet e tilla, megjithëse numri po shkon drejt rënies.

Më 13 mars në fshatin Mollopolc të Shtimes ishin vjedhur para, stoli ari dhe një armë e gjatë në shtëpinë e një mërgimtari.

Dy ditë më vonë në Deçan ishte arrestuar një person, nën dyshimin e bazuar se i njëjti me forcë kishte hyrë në një stan.

Të njëjtën ditë në Skenderaj ndërkohë ishin arrestuar tre persona për vjedhje të veglave të punës e në Mitrovicë ishte vjedhur një veturë e tipit Audi 3, ndërkaq në Ferizaj nën kërcënimin e armës ishte vjedhur një telefon, portofoli, cigare dhe para nga arka e një pompe të derivateve.

Në bjeshkët e Moknës ishte tentuar vjedhja e druve të pyllit.

Vjedhje ndodhën edhe në Prizren dhe Podujevë ku u vodhën para, stoli ari dhe pushkë me leje.

Ndërkohë në Prishtinë një femër është ankuar se nga çanta e krahut i janë grabitur dokumente personale dhe para.

Në fillim të këtij viti Policia e Kosovës njoftoi se në vitin që lamë pas ishte shënuar rënie sa u përket vjedhjeve.

(Kosova Sot Online)