COVID-19, pritet të vijnë edhe 7 mijë teste në Kosovë

  • 23 March 2020 - 08:41
COVID-19, pritet të vijnë edhe 7 mijë teste në Kosovë

Numri i testimeve për Covid-19 ka qenë një diskutim që është bërë në vendin tonë, duke pasur edhe parasysh rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që ka kërkuar të testohen sa më shumë njerëz.

Nga data 8 shkurt deri më 22 mars në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 577 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 duke rezultuar me 33 persona pozitivë.

Në Shqipëri, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë testuar 811 raste deri më 22 mars 2020, duke rezultuar edhe me 89 pozitivë.

Mirëpo, ministri i Shëndetësie, Arben Vitia, gjatë një konference të mbajtur javën e kaluar ka paralajmëruar se më shumë teste do të bëhen në vendin tonë. Ai po ashtu ka thënë se janë porositur me urgjencë edhe 7000 teste të tjera, të cilat janë planifikuar të vijnë në fillim të kësaj jave.

Të dielën në Kosovë ka vdekur pacienti i parë me koronavirus, 82-vjeçari nga Podujeva, ndërsa numri i rasteve ka shkuar në 33.

(Kosova Sot Online)