Spanja synon që me robotë t’i kryejë 80 mijë teste të koronavirusit në ditë

  • 23 March 2020 - 10:26
Spanja synon që me robotë t’i kryejë 80 mijë teste të koronavirusit në ditë

Autoritetet në Spanjë po planifikojnë t’i përdorin katër robotë, të cilët do t’i mund t’i kryenin 80 mijë teste të koronavirusit në ditë.

Spanja tash për tash është vendi i dytë më i goditur nga virusi i ri në Evropë pas Italisë me 28 mijë e 600 persona të infektuar dhe 1 mijë e 756 persona të vdekur.

Megjithatë, qeveria beson se rritja e numrit të testimeve nga shifra e tanishme mes 15 deri 20 mijë mund të ndihmojë në kontrollimin e përhapjes së virusit të rrezikshëm, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Kryetari i Institutit Shëndetësor të Madridit, Raquel Yotti, tha: “Një plan për t’i automatizuar testimet përmes robotëve tashmë është dizajnuar dhe Spanja është zotuar për t’i blerë katër robotë që do t’i kryejnë 80 mijë testime në ditë.”

Përhapja e shpejtë e virusit Covid-19 është duke i sfiduar seriozisht kapacitetet e shtetit spanjoll. Qeveria rajonale e Madridit tha se është e detyruar t’i përdorë hotelet si spitale të improvizuara për pacientët.

Pritet që shteti t’i marrë edhe disa masa të tjera për ta zvogëluar ndikimin negativ të virusit në ekonomi, përfshirë një pako financiare për sektorët e turizmit dhe transportit.

(Kosova Sot Online)