Ministria e Bujqësisë shtyn afatet për zbatimin e projekteve përfituese të granteve

  • 23 March 2020 - 11:35
Ministria e Bujqësisë shtyn afatet për zbatimin e projekteve përfituese të granteve

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka thënë se gjatë javës së kaluar, për t’i përkrahur bujqit në këtë gjendje emergjente, ka shtyrë përkohësisht afatet për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019, që bujqit të mos ndëshkohen pa fajin e tyre.

Ai ka shtuar se në koordinim të vazhdueshëm me homologët e tij në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, ka arritur të sigurojë korridor të furnizimit me ushqim për blegtorinë dhe shpeztarinë, duke evituar kështu një krizë për këta dy sektorë.

“Për të siguruar që bujqit dhe agropërpunuesit tanë të kenë më shumë mjete likuide për të punuar, kam kërkuar intensifikimin e realizimit të pagesave për përfituesit e granteve dhe subvencioneve, ku gjatë javës së kaluar janë realizuar pagesat për 1.702 përfitues në vlerë prej 2 milion e 456 mijë euro”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, në çdo kohë, por veçanërisht në këtë gjendje emergjente, qytetarët kosovarë kanë nevojë të dinë se bujqit me përkrahje nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, mund të prodhojnë ushqim në sasi e cilësi për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave elementare ushqyese të familjeve kosovare.

“Fatmirësisht, jemi në kohën e të mbjellave pranverore kur bujqit tanë, me përkushtim të lartë, por me kujdes të shtuar, po vazhdojnë punën e tyre”, ka thënë Mustafa.

Këto janë masat që ka ndërmarrë kjo Ministri:

1. Drithërat, veçanërisht gruri dhe misri, që përbëjnë ushqyesit elementar për qytetarët, blegtorinë dhe shpezëtarinë, do të vazhdojnë të përkrahen, duke i shtuar angazhimin tim personal që pagesat e subvencioneve në këtë drejtim të realizohen në afat rekord;

2. Do të rrisim subvencionet për 50% për prodhimin intensiv të perimeve në serra, për të siguruar më shumë perime të freskëta si domate, speca, tranguj, etj. për tavolinat e familjeve tona;

3. Që të rrisim të hyrat e shtetit nga eksporti, do të rrisim subvencionimin për 50% për mjedrën, si kulturë me potencial të madh eksportues;

4. Për të siguruar më shumë bulmet dhe mish, do të rrisim subvencionimin për 20% për lopë qumështore, dele, dhi dhe buallica;

5. Ndërsa për të ju dhënë familjeve tona siguri dhe higjienë në mishin e prodhuar në vend, do të rrisim subvencionimin për 50% për kafshët e therura në thertore të licencuara që zbatojnë standardet më të larta;

6. Për të mbrojtur ushqimin vendor nga fatkeqësitë natyrore, do të mbulojmë më shumë kultura bujqësore përmes skemës së sigurimeve bujqësore për të përfshirë, përveç mjedrës edhe rrushin, mollën dhe kumbullën.

(Kosova Sot Online)