Kryeministri Kurti për mësimin online: Veç mësoni, rrymë do të ketë

  • 23 mars 2020 - 13:16
Kryeministri Kurti për mësimin online: Veç mësoni, rrymë do të ketë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga prindërit që të kujdesen që fëmijët e tyre t’i ndjekin mësimet që po transmetohen përmes televizionit publik. Për këtë thotë se do të kujdesen që të mos ketë ndalje të energjisë elektrike.

“Si duket e ku ndodhet shkronja ‘C’ në gjuhën shqipe, çka janë gjysma dhe çereku në matematikë? Kështu nisi sot mësimi në distancë për fëmijët e Kosovës të klasës së parë me mësuesen Valdrina Ademaj-Ajvazi. Pastaj, klasa e dytë vazhdoi me mësuesen Blerta Hasani, e treta me Albesa Kryeziun, e katërta me Mrika Kllokoqin, kurse e pesta me mësuesen Diellonë Beka. Filluam pra me mësimin online dhe përmes televizionit. Në RTK1 dhe RTK4, si dhe nga kompjuterët e lidhur me internetin, fëmijët filluan të ndjekin lëndët e tyre mësimore. Virusi Corona na ka mbyllur të gjithëve nëpër shtëpitë tona, dhe, ato duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët tanë”, ka shkruar Kurti në Facebook, teksa ka kërkuar që të prindërit t’i ulin fëmijët para televizorit çdo ditë nga ora 11:15.

“ Nëpërmjet teknologjisë synojmë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit. Mësimdhënia duhet ta hapë imagjinatën e nxënësve që ata të mësojnë më mirë e të dinë më shumë. Prindërve u kërkojmë që t’i ulin fëmijët e tyre para televizorit çdo ditë nga ora 11:15”, thotë ai.

Kryeministri ka shtuar se qeveria do të kujdeset që të mos ketë ndalje të energjisë elektrike.

“Po e mbajmë e-mësimin që të mos i privojmë nxënësit nga shkolla. Por, ky është edhe një rast që të gjithë ne si shoqëri të marrim pjesë në arsim e edukim si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. Teksa 96% e amvisërive në Kosovë janë të lidhura në internet, si Qeveri do të kujdesemi edhe që të ketë energji elektrike në të gjithë territorin e Kosovës”, tha ai.

(Kosova Sot Online)