E thotë analisti i njohur: Pas prishjes së koalicionit me LVV-në, këto zhvillimet të mëdha e presin LDK-në

  • 24 March 2020 - 07:41
E thotë analisti i njohur: Pas prishjes së koalicionit me LVV-në, këto zhvillimet të mëdha e presin LDK-në

“Ndoshta edhe ka ardhur koha që në pamundësi reflektimi, riorganizimi dhe ripërtëritje nga brenda vetë LDK-ja, atëherë alternativa mund të jetë edhe ndarja, pra shkëputje prej saj e individëve dhe anëtarëve me të vërtetë demokratë, patriotë dhe të pa infektuar nga e kaluara dhe ndotja me korrupsionin duke formuar një forcë të re politike, ose duke e braktisur LDK-në dhe duke u bashkuar me ndonjë forcë tjetër politike patriotike dhe progresive”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik Skënder Kapiti, e vlerëson veprim të nxituar, të gabuar madje edhe të dëmshëm për të ardhmen e LDK-s si parti politike e identifikohet kinse për respektimin e kulturës institucionaliste dhe demokratike, marrjen e vendimit kaq të shpejtë për ngritjen e mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe krijimin e një krize të re politike në ven, në kohën kur më së pakut i duhej shtetit të Kosovës.

Sipas Kapitit, ndonëse funksionimi i brishtë i këtij koalicioni është hetuar që në periudhën e negociatave për marrëveshjen dypalëshe,, kushtëzimet që LDK ja bëri VV-së, askush nuk e ka pritur që ky ndryshim i madh i qëndrimeve do të ndodhë akoma pa e përmbushur qeveria 100 ditshin e parë të punës, për shkak të aktit të shkarkimit të ministrit Agim Veli, dhe mos respektimit të ultimatumit për heqjen e taksës. Kapiti shprehë dyshimin e tij se prapa këtij skenari qëndron vetë Presidenti Thaçi, i cili e ka gjetur momentin kritik për ta përçarë koalicionin e brishtë, dhe për të arritur qëllimin e tij për pazaret e filluar në dialogun me Serbinë, që pas shpallje së pavarësisë ta vulos edhe aktin e “pajtimit” me Serbinë, qoftë edhe në dëm të tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës, përmes ndryshimit të kufijve, skenar ky që mundë ta qon edhe LDK-në drejtë procesit të ndarjes dhe defaktorizimit, duke humbur besimin te votuesit.

Image
Skender Kapiti

“Gjithçka edhe mund të pritej, por edhe mund të pritet në ditët në vazhdim. LDK -ja është e pa parashikueshme dhe e papërgjegjshme, dhe ajo gjithçka e bën vetëm për interesa personale, inatesh, por mbi të gjitha LDK-ja po vërtetohet se paska qenë organizatë interesash e grupacionesh servilësh e të korruptuarish të cilët e kanë kapur dhe privatizuar atë. LDK rezulton dhe funksionon vetëm si një organizatë e pa disiplinuar politikisht, organikisht, demokratikisht dhe e pa përgjegjshme edhe kombëtarisht. Ashtu sikurse është kalbur brenda vetes nga autokracia, korrupsioni dhe nga jo demokraciteti e papërgjegjshmëria brenda vetes, po atë stil pune e sjellje e tregojnë edhe ministrat e saj në qeverisjen LVV-LDK të drejtuar nga Albin Kurti’, thotë analisti politik Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, këtë derexhe të LDK-së e kishte konstatuar me të drejtë me kohë edhe populli e votuesit në Kosovë, dhe prandaj LDK gjithnjë e më shumë vetëm sa erdhi dhe ra e humbi besimin popullor thellë e më thellë vazhdimisht që nga koha e pas Rugovës, dhe nuk e arriti më kurrë atë që e kishte në atë kohë të drejtimit nga ish presidenti historik, sepse lidhjet e këtij subjekti u forcuan me rrjetet e inkriminuara që po e drejtonin PDK-në, sado që kundërshtimet ndaj PDK-së dukeshin tepër të ashpra e të vrazhda. “Lidershipi i LDK-së vetëm sa paska spekuluar për interesa personale, klanore , korrupsioni e pushteti. Ashtu sikurse edhe më parë edhe tani LDK po tregon se ajo si moral i paska mbetur gatishmëria për çdo aventurë e akrobaci politike ku elementët kryesorë të lidershipit të saj u shndërruan në vegla e në paterica politike të ish pushtetit dhe të presidentit Thaçi, thjesht vetëm për të mbrojtur interesat politike e korruptive të një klani të ngushtë që ka kapur LDK-në”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online” . 

Një ngritje pozitive, të dukshme të besimit në elektorat, sipas Skënder Kapitit, në zgjedhjet e fundit, LDK e fitoi vetëm falë angazhimit të Vjosa Osmanit, besimit të cilin e kishin qytetarët në zotimin e saj për koalicion me LVV-në dhe për ç’kapje të shtetit nga krimi i organizuar, zotim që tash e tutje, sipas tij, nuk do të bëhet realitet. “Rezultatin që arriti LDK në zgjedhjet e 6 Tetorit është falë asaj të cilën unë e kam deklaruar qysh gjatë fushatës elektorale, është fakti se LDK pati caktuar si kandidate për kryeministre znj. Vjosa Osmani, gjë e cila ngjalli besim dhe shpresë të anëtarësia, te simpatizanët e LDK-së dhe te votuesit në Kosovë se gjërat po ndryshojnë për nga më e mira dhe nga përmirësimi i LDK-së. Votuesit në Kosovë e votuan LDK-në sepse shpresuan te vizioni i Vjosa Omanit dhe te brezi i ri i politikanëve të LDK-së dhe jo te Mustafa, Veliu e te dy e tre të tjerë të cilët së shpejti edhe do shkojnë fiasco dhe do të mbeten në kujtesë si relikte e rrangalla politike”,thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, me këtë “ndëshkim” që LDK-ja po ia bënë partnerit qeverisës LVV-së, do të paguaj faturë të shtrenjtë duke humbur besimin te qytetarët, dhe për ta kthyer atë, në një periudhë tjetër kohore, do ti duhet të ristrukturohet rrënjësisht me figura të reja, sepse kjo garniturë që tani e e drejton dhe po e mban peng, nuk do të sjell vota në zgjedhjet që vijnë, por vetëm mundë ta qon drejtë një përçarje të thellë dhe të ndarjes në dysh. “Ndoshta edhe ka ardhur koha që në pamundësi reflektimi , riorganizimi dhe ripërtëritje nga brenda vetë LDK-ja, atëherë alternativa mund të jetë edhe ndarja, pra shkëputje prej saj e individëve dhe anëtarëve me të vërtetë demokratë, patriotë dhe të pa infektuar nga e kaluara dhe ndotja me korrupsionin duke formuar një forcë të re politike, ose duke e braktisur LDK-në dhe duke u bashkuar me ndonjë forcë tjetër politike patriotike dhe progresive”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online” .

(Kosova Sot Online)