Sveçla: Thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese

  • 24 March 2020 - 08:15
Sveçla: Thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese

Pas konferencës së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar edhe ministri i brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla

Ai pasi i ka kërkuar falje qytetarëve për adresimin e tij natën vonë ka thënë se thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri “është shqetësuese”.

“Thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon. Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë i Sveçlës

Mirëmbrëma të dashur qytetarë. Kërkoj falje që po ju drejtohem në këtë orë të vonë, por jam i detyruar të bëj këtë reagim.

Thirrja e presidentit për mosdëgjueshmëri është shqetësuese. Zyrtarët që bëjnë thirrje për mos-zbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon.

Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.

Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin.

Qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe së bashku t’i zbatojmë masat, që ta fitojmë luftën kundër coronavirusit.

E ligji nr. 04/L-076 për policinë e sqaron se zyrtari policor është i autorizuar që përkohësisht t’ia kufizojë lirinë e lëvizjes personit në një zonë të caktuar ose ta orientojë lëvizjen e tij në një zonë tjetër, me qëllim që të sigurohet zona e caktuar për t’i arritur objektivat legjitime të policisë apo për t’i mbrojtur personat nga rreziku i përkohshëm. NJË PREJ OBJEKTIVAVE LEGJITIME TË PËRCAKTUARA SHPREHIMISHT NË LIGJ ËSHTË MBROJTJA E PERSONAVE NGA EPIDEMITË.

Si ushtrues detyre i Ministrit të Punëve të Brendshme, bashkë me të gjithë policët e Kosovës, do të garantojmë që në Republikën e Kosovës askush të mos jetë përmbi ligjin dhe kushtetutën.

I ftoj partitë politike dhe mediat, por edhe zyrtarët e lartë shtetërorë që, në kushtet e emergjencës të heqin dorë nga nxitjet kundër qeverisë e nga polarizimi i shoqërisë, sepse kjo nuk ndihmon. Coronavirusi është armiku i të gjithëve, mjaft ia drejtuam shpatat njëri-tjetrit.

(Kosova Sot Online)