Kryetari i Malishevës: Mbajeni distancën gjatë pritjeve për t’i marrë ndihmat sociale

  • 24 March 2020 - 10:40
Kryetari i Malishevës: Mbajeni distancën gjatë pritjeve për t’i marrë ndihmat sociale

Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me COVID-19 në Malishevë sot e ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është shqyrtuar situata aktuale në Malishevë. Kryetari i Komunës, Ragip Begaj u bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ti respektojnë rregullat dhe udhëzimet për tu mbrojtur nga virusi i COVID-19.

“Rritja e rasteve të prekur me këtë virus, e ka bërë situatën shumë shqetësuese në komunën tonë, por kjo është duke u menaxhuar dhe të gjitha organet relevante që janë në terren duke u marrë me menaxhim të situatës”, tha Begaj.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për furnizimin me mallra ushqimore, derisa është shprehur edhe shqetësim për rrezikun që mund të paraqitet gjatë marrjes së pagesave të rasteve sociale.

Begaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë distancën gjatë pritjeve për marrjen e pagesave.

“Sa i përket furnizimeve me mallra ushqimore, situata është e mirë dhe ka furnizime të mjaftueshme, e po ashtu edhe furnizimi me barna në barnatore është i mirë dhe nuk ka vend për shqetësim. E vetmja gjë që ju kërkohet qytetarëve është respektimi i rregullave dhe udhëzimeve për tu mbrojtur, prandaj ju bëhet thirrje që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos lëvizin pa nevojë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, aktualisht në gjithë vendin janë të infektuar 61 persona me koronavirus. 

(Kosova Sot Online)