Infektologu kosovar tregon si u vetizolua: Dy javë s’kam pasur kontakt me gruan dhe fëmijët

  • 24 March 2020 - 10:50
Infektologu kosovar tregon si u vetizolua: Dy javë s’kam pasur kontakt me gruan dhe fëmijët

Infektologu Dr. Gëzim Morina ka treguar se si është vetizoluar për dy javë pasi kishte kontakt me disa familjar të ardhur nga Italia, të cilët rezultuan pozitiv me koronavirus. Ai ka thënë se përveç izolimit nga familja, nuk kishte shkuar as në klinikë për 2 javë.

Edhe Gëzim Morina është mjek infektolog. Për Radion Evropa e Lire ai ka ndarë përvojën e tij të vetizolimit, pas kontaktit që kishte pasur me familjarët e tij, të cilët kishin ardhur nga Italia dhe më pas kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Infektologu Morina, është baba i tre fëmijëve, mosha e të cilëve është 13, nëntë dhe tre vjeç.

“Kam shkuar t’i vizitoj familjarët, pasi që kishin ardhur nga Italia. Por, unë gjatë vizitës kam qenë me maskë dhe dorëza. Megjithëkëtë, sapo kam kuptuar se ata kanë qenë pozitivë me koronavirus, jam vetizoluar për dy javë rresht dhe nuk kam pasur kontakt as me gruan e as me fëmijët. Nuk kam qëndruar në të njëjtin vendbanim. As në Klinikën Infektive nuk kam shkuar për dy javë rresht”, thotë Morina.

Ai thotë se ka bërë dy teste dhe pasi që të dy testet kanë dalë negativë me koronavirus, ka filluar të punojë dhe i është bashkuar familjes. 

(Kosova Sot Online)