IKD: Asnjë rezultat konkret në dënimin e korrupsionit të profilit të lartë në shkallë të dytë

  • 24 March 2020 - 14:47
IKD: Asnjë rezultat konkret në dënimin e korrupsionit të profilit të lartë në shkallë të dytë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikoi raportin: “Drejtësia në shkallë të dytë: Raport i monitorimit sistematik të Gjykatës së Apelit”.

Fokus i veçantë i trajtimit në këtë raport, janë rastet e korrupsionit të trajtuara në Gjykatën e Apelit. Në këtë drejtim, gjetjet e IKD-së tregojnë se sikurse vitet e kaluara, edhe vitet 2018 dhe 2019, Kosova i ka mbyllur pa as edhe një zyrtar të lartë prapa grilave për shkak të korrupsionit, përkundër asaj që në shumicën e matjeve të bëra, Kosova vazhdon të renditet si një ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Në raportet ndërkombëtare, korrupsioni në Kosovë cilësohet si endemik, Kosova si shtet i kapur, derisa sistemi i drejtësisë cilësohet si lehtë i ndikueshëm nga politika.

Mungesa e luftës kundër korrupsionit, thuhet në komunikatë, e sidomos e korrupsionit të profilit të lartë është pasqyruar më së miri edhe në raportet që IKD në periudha të rregullta ka publikuar, sidomos gjatë vitit 2018 dhe 2019. Si gjykatë e shkallës së dytë, aktgjykimet e të cilës janë të plotfuqishme, Gjykata e Apelit në vitet 2018 dhe 2019, nuk ka pas asnjë aktgjykim dënues për zyrtarët e profilit të lartë të akuzuar për korrupsion.

Gjetjet e IKD-së, tregojnë se edhe dy zyrtarë të profilit të lartë që ishin dënuar nga gjykatat e shkallës së parë për korrupsion, Gjykata e Apelit kishte vendosur t’i lirojë nga akuzat dhe të njëjtit t’i shpall të pafajshëm, kurse në katër raste tjera, Apeli i kishte anuluar aktgjykimet dënuese të gjykatave të shkallës së parë ndaj zyrtarëve të lartë publik të akuzuar për korrupsion dhe lëndët i kishte kthyer në rigjykim.

(Kosova Sot Online)