Anëtari i VV-së: S’e pashë mesazhin e Kosnett, prioritet i qeverisë është luftimi i koronavirusit

  • 24 March 2020 - 21:15
Anëtari i VV-së: S’e pashë mesazhin e Kosnett, prioritet i qeverisë është luftimi i koronavirusit

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi thotë se prioritet i qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti është lufta kundër koronavirusiut. Sipas tij, në situatën në të cilën ndodhet vendi, nuk do të duhet të mbahej seancë mosbesimi ndaj qeverisë.

Në këtë rrafsh ai thotë të mos e ketë dëgjuar deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka mbështetur seancën e nesërme që do të mbajë Kuvendi i Kosovës, për të votuar mocionin e votëbesimit për Qeverinë Kurti.

Por Rrustemi ka parë reagimin e vendeve të Quintit që nuk mbështesin seancën e nesërme.

“Nuk e kam parë reagimin e ambasadorit amerikan por të vendeve të Quintit po”, tha ai.

Ai tha se Kuvendi nuk do të duhej të mblidhej që të rrezikohej shëndeti i deputetëve.

“Kërkohej që seanca të shtyhej në një kohë më të përshtatshme kur vendi të tejkalonte situatën aktuale.  Qeveria e Kosovës prioritetin kryesor dhe të gjitha angazhimet i ka në parandalimin dhe kufizimin e virusit. Të gjitha veprimet janë orientuar në këtë çështje”, theksoi.

Ndërkohë sipas zyrtarit të VV’së çështja e shkarkimit të ministrit Agim Veliu tashmë është sqaruar dhe gjithçka ka qenë sinkronizim në mes të LDK’së dhe presidentit Hashim Thaçi.

(Kosova Sot Online)