Ministrja Vlora Dumoshi shpreh ngushëllime për vdekjen e aktores Leze Qena

  • 25 mars 2020 - 12:15
Ministrja Vlora Dumoshi shpreh ngushëllime për vdekjen e aktores Leze Qena

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka dërguar telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së aktores Leze Qena

Në telegramin e ngushëllimit, Dumoshi shkruan se rolet e panumërta dhe të papërsëritshme të saj do të mbesin gjurmë të gdhendura në botën e artit e të aktrimit.

“Ajo do të jetë një shembull dhe referencë në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, se si me përkushtim dhe me shpritmadhësi, veçori të cilat e kanë karakterizuar Lezen, njeriu bëhet i dashur nga të gjithë dhe i pranuar nga secili”, ka shkruar Dumoshi.

Më poshtë telegrami i ngushëllimit i plotë i ministres Dumoshi:

Telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së aktores së madhe, Leze Qena

E nderuar familja Qena,

Me pikëllim dhe me keqardhje të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta dhe nga ne e të dashurës, haresë tuaj e tonës, aktores tonë të madhe, Leze Qena.

Fizikisht më Lezja nuk do të jetë mes nesh por do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e saj të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas.

Rolet e panumërta dhe të papërsëritshme të saj do të mbesin gjurmë të gdhendura në botën e artit e të aktrimit. Me praninë e saj, ajo e ka pasuruar çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që ka zgjedhur t’i mishërojë në veten e saj.

Me korpusin e roleve të saj, Lezja ka depërtuar në mesin e secilit prej nesh, duke na dhënë frymëzim, krenari e forcë për të vazhduar e tejkaluar çdo sfidë që kemi kaluar qoftë si individë por edhe si popull.

Ajo do të jetë një shembull dhe referencë në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, se si me përkushtim dhe me shpritmadhësi, veçori të cilat e kanë karakterizuar Lezen, njeriu bëhet i dashur nga të gjithë dhe i pranuar nga secili.

Ndarja e Lezës është humbje e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë e saj, por ikja e saj do të lërë një zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e saj të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Leze Qenës.

Sinqerisht,

Vlora Dumoshi

Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

(Kosova Sot Online)