Limaj Kurtit: S’ka kryeministër në botë që e rrëzon veten në këso situate

  • 25 March 2020 - 14:09
Limaj Kurtit: S’ka kryeministër në botë që e rrëzon veten në këso situate

Kreu i NISMA’s për Kosovën, Fatmir Limaj, ka folur sot në Kuvendin e Kosovës për sitautën e krijuar politike në vend si pasojë e mocionit të LDK’së për rrëzimin e Qeverisë.

Limaj ka thënë se pajtohet me Albin Kurtin se nuk ndodh askund në botë që të rrëzohet qeveria në një krizë të tillë, por Limaj ka thënë se s’ndodh askund në botë që një qeveri ta rrëzojë veten në një situatë të tillë.

Tutje ai ka thënë se gjendja aktuale politike është për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe lidershipit, duke i thënë Kurtit se kriza politike është vetëshkaktuar nga dy partitë në koalicion.

“Ne jemi sot këtu sepse nuk u tregua lidership dhe është vetëshkaktuar krizë”, ka potencuar Limaj.

Kreu i NISMA’s i ka thënë Kurtit se duhet edhe të falenderojë institucionet të cilat kanë respektuar vendimet e Qeverisë dhe s’janë bërë pjesë e konfliktit Kurti-Thaçi  rreth kufizimit të lëvizjes së njerëzve në kohën e pandemisë COVID-19.

“Me të drejtë kryeministri tha që vendimi është respektuar. Kjo tregon që megjithatë ka shtet, dhe ato e kanë respektuar vendimin e Qeverisë derisa Gjykata vendos ndryshe. Kjo tregon pjekurinë e institucioneve, që nuk futet në përplasjet mes presidentit dhe Qeverisë”, ka shtuar tutje Limaj.

Kriza për koronavirusin, Limaj ka thënë se po menaxhohet mirë meqë ekzistojnë mekanizma shtetërorë që funksionojnë.

“Qeveria e Kosovës duhet ta lavdërojë shtetin e vet. Kjo krizë po menaxhohet mirë sepse ka mekanizma shtetërorë që po i respektojnë vendimet”, ka shtuar tutje.

Ndër të tjera, Limaj ka thënë se vazhdimisht në Kuvend e ka paralajmëruar Kurtin që të marrë detyrat dhe të mos mbetet peng i institucioneve të tjera.

Limaj ka folur edhe për paralajmërimin e Kurtit për gjakëderdhje në veri si pasojë e tentimit të realizimit të idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Nuk ka me mbrojt Kosovën një njeri. Kurr Kosovën s’ka me mbrojt një njeri apo një parti politike. Nëse spunojmë bashkë kemi me dështu. Nuk është mirë që me paralajmëru gjakderdhje në veri”, ka shtuar Limaj.

Në fund ai ka bërë apel për ministrat që duhet të punojnë në këto krize, që të aktivizohen dhe të ndihmojnë Komunat të cilat kanë nevojë për ndihma.