Ky është deputeti i LDK’së që nuk voton për rrëzimin e Kurtit

  • 25 March 2020 - 15:09
Ky është deputeti i LDK’së që nuk voton për rrëzimin e Kurtit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka thënë se mocioni i partisë së tij për rrëzimin e Qeverisë duhet të shtyhet për shkak të gjendjes ku gjendet Kosova si pasojë e pandemisë COVID-19.

Ai publikisht ka treguar që nuk do të votojë për një mocion të tillë, duke potencuar se për një gjë të tillë do të bartë pasojat personalisht.

Përveç tjerash, Avdyli ka thënë se është e paqartë se çfarë do të ndodh nëse rrëzohet kjo qeveri, pasi ai ka kujtuar faktin se LDK ka marrë vendim në Këshill të Përgjitshëm që të mos bëjë kurrë koalicion me PDK’në.

Ndërkohë ka thënë se me AAK’në nuk kanë ndonjë vijë të kuqe, por thekson se LDK nuk mund të largohet nga një qeveri që spo e heq taksën dhe të bashkëpunojë pastaj me një parti politike që në program e kanë taksën 100 % sikurse AAK-ja e Haradinajt.

“Duke marrë parasysh rrezikun nga korona, do të duhej të bëheshim bashkë, që të ndalojmë përshkallëzimin e situatës. Tani më nuk ka qëllime politike, por interes madhor për shërbim të qytetarit.

Ne sot këtu në këtë Kuvend do të duhej të flisnim më shumë për shëndetsinë, mungesën e barnave, gjendjen e policëve e ekonomive që po shuhen por edhe për qytetarët që kanë mbetur të ngujuar pa punë dhe pa paga. Kosova kishte probleme të mjaftueshme. Në një gjendje të tillë, pandemia ishte e tepër. Por ne ia shtuam edhe krizën tonë. Por kjo krizë do të ketë efekt shumë të rëndë në qytetarin tonë.

Sot ne do të duhej të ishim pranë tyre, por ne po merremi me gjëra që nuk do të duhej të merreshim në këtë kohë. Marrëveshja për bashkëqeverisje do të duhej të respektohej.

Ta lëmë anash pandeminë. Me mocionin e sotëm po futemi ne një paqartësi institucionale, duke krijuar një qeveri që do të mund të ishte një qeveri, por nuk e di sa do të ishte një qeveri bazuar në vullnetin e qytetarëve. Por ne tani po duam të bëjmë akrobacione të tjera politike, duke dalë kundër vullnetit të votuesve, premtim që e ka bërë edhe kandidatja jonë për kryeministre. Unë nuk e shoh se si do të formohet një qeveri e re, sepse ne kemi disa vija të kuqe që i kemi marrë në këshill të përgjithshëm, që është kurrë me PDK’në.

Në anën tjetër, me AAK-në dhe NISMA-n s’kemi vija të kuqe, por kemi dallime të mëdha me ta, sepse kjo qeveri po rrëzohet për tarifën, dhe ne duhet të bëjmë koalicion me një parti që bazë e ka tarifën.

Prandaj kjo na bënë të pamundur të funksionojmë, të rrëzojmë një qeveri për mos heqje të taksës, dhe të futemi në një qeveri me një parti që dëshiron mbajtjen e taksës. Ky mocion është i ngutur dhe duhet të shtyhet. Prandaj ky vend nuk duhet të bëjë sallto mortale politike. Mocioni duhet të shtyhet derisa të piqen kushtet demokratike, e ato kushte janë që deri të krijohen kushte për zgjedhje. Për këtë e marrë përgjegjësinë personale dhe politike”, ka thënë Avdyli.

(Kosova Sot Online)