Mjekët kërkojnë nga qeveria ta ndryshojë strategjinë e ‘orës policore’

  • 27 March 2020 - 12:06
Mjekët kërkojnë nga qeveria ta ndryshojë strategjinë e ‘orës policore’

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, pas raportimit të një infermiere me koronavirus, ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar, ndërsa ka apeluar edhe te Qeveria që të marrë masa mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë.

Përmes një komunikate për media, ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të respektojnë në plotni masat e propozuara nga IKSHP.

Po ashti, në këtë njoftim thirrje ka pasur edhe për qeverinë, në mënyrë që e njëjta të ndryshojë strategjinë e kufizimit të lëvizjes për arsye se ajo që është tani në fuqi po shkakton vetëm tollovi dhe po jep efekt të kundërt.

Njoftimi i plotë i FSSHK-së:

Duke mos dashur që të hapim panik po të rrisim vigjilencën e cila nga disa nuk po kuptohet se në çfarë situate gjendemi bazuar dhe në statistikat jo të mira të shteteve Evropiane ku numri i të prekurve me COVID-19 është duke u rritur tani më edhe tek punëtorët shëndetësor FSSHK apelon:

Qytetarë respektoni, respektoni, vetëm rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës të cilët janë duke bërë punë heroike së bashku me të tjerët që ta kenë situatën në kontroll, në të kundërtën mund të vijmë në një situatë të palakmueshme për të cilën do të jetë vonë;

Qeveri, urgjent t’i rrisni masat mbrojtëse për punëtorët shëndetësor dhe poashtu të gjeni një strategji tjetër për kufizimin e lirisë së qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, sepse siç po duket po jep efekt të kundërt.

Pra, edhe njëherë dëgjoni këtë apel me vëmendje dhe përmbajuni rekomandimeve të IKSHPK-së siq ka thënë Prof. Dr. Naser Ramadani citim”frigoheni kur të fillojnë të sëmuren punëtorët shëndetësor nga COVID-19’’.

Në fund, tani më kemi rastin e parë nga Klinika infektive e QKUK-së, andaj Rrini në shtëpi që ne të punojmë.

(Kosova Sot Online)