Kurti: Do të vazhdojmë punën për kontrollimin dhe parandalimin e koronavirusit në Kosovë

  • 27 March 2020 - 12:48
Kurti: Do të vazhdojmë punën për kontrollimin dhe parandalimin e koronavirusit në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar dje Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, ku u diskutua situata e krijuar nga pandemia COVID-19.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë e njoftoi Ambasadorin Grondahl për masat e reja të Qeverisë të cilat për qëllim kanë parandalimin e shpërndarjes e virusit Corona.

Në prag të javëve më kritike në luftën kundër përhapjes së shpejtë të sëmundjes, kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e tij dhe Qeverisë për të kontrolluar në mënyrë sa më të suksesshme lakoren e përhapjes së pandemisë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, ai gjithashtu rikujtoi rëndësinë e një bashkëpunimi gjithëpërfshirës në këtë drejtim, me ç’shkas kryeministri në detyrë Kurti ka telefonuar kryetarët e 38 komunave të Kosovës me të cilët ka diskutuar problemet dhe vështirësitë e tyre në përballje me pandeminë COVID 19, si dhe nevojën dhe format e mbështetjes nga Qeveria në detyrë.

(Kosova Sot Online)