Trumpi tërhiqet nga premtimi për largimin e kufizimeve deri në Pashkë

  • 28 March 2020 - 09:33
Trumpi tërhiqet nga premtimi për largimin e kufizimeve deri në Pashkë

Presidenti i Shtetetve të Bashkuara, Donald Trump, duket se është tërhequr nga premtimi për largimin e kufizimeve të lëvizjes dhe aktivitetit ekonomik deri në Pashkë, duke lënë të kuptohet se do t’i marrë parasysh këshillat e ekspertëve shëndetësorë.

“Do të takohemi të hënën ose të martën, varësisht se kur është më mirë për të gjithë dhe do të vendosim për këtë”, tha presidenti Trump në konferencën e përbashkët me zyrtarët e lartë, shkruan “Daily Mail”.

Ai më parë kishte thënën se zonat me raste të kufizuara të koronavirusit mund të rihapen për qarkullim dhe aktivitet ekonomik, ndonëse Nju Jorku dhe disa pjesë të tjera mbesin të izoluara për shkak të numrit të madh të rasteve.

“Nëse ne kemi nevojë për më shumë kohë, njerëzit nuk do ta kenë problem pritjen”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Premtimi i tij për hapjen e bizneseve në kohën e Pashkëve i kishte shqetësuar disa ekspertë. Kjo ide i alarmoi edhe disa ligjvënës nga dy partitë amerikane, të cilët frikësoheshin se kjo masë mund të shkaktojë rritje të viktimave.

(Kosova Sot Online)