Shënohet viktima e 10 me koronavirus në Shqipëri, ndërron jetë në spital 67-vjeçari

  • 28 March 2020 - 10:36
Shënohet viktima e 10 me koronavirus në Shqipëri, ndërron jetë në spital 67-vjeçari

Shkon në 10 numri i viktimave nga koronavirusi në SHQIPERI. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar zyrtarisht se ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një 67-vjeçar i konfirmuar me COVID-19.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave zyrtare, 67-vjeçari me inicialet Ll. N. ishte prej 10 ditësh i sëmurë dhe po trajtohej prej katër ditësh në terapi intensive në gjendje të rënduar, i intubuar.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacienti që vuante nga hipertensioni, nuk arriti të mbijetojë.

67-vjeçari është viktima e dhjetë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Ministria ka saktësuar edhe moshën e pacientes e cila vdiq mbrëmjen e djeshme. Ndryshe nga sa u raportua, ajo është 72-vjeçe.

“Mbrëmjen e djeshme ndërroi jetë një paciente nga Vlora, me inicialet L. M., e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv dhe në dy ditët e fundit në terapi intensive në gjendje të rëndë.

Ju informojmë se pacientja që rezultonte në kartelën e spitalit infektiv në moshën 52 vjeçare, sikundër u raportua mbrëmjen e djeshme, pas verifikimeve me gjendjen civile, është 72-vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve dhe apelon qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e izolimit dhe distancimit social. Ministria e Shëndetësisë ju kërkon qytetarëve të telefonojnë urgjencën kombëtare në numrin 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes dhe të mos shkojnë menjëherë në spital”.

(Kosova Sot Online)