Një banor i Klinës shkon për testim në Infektivë, rezultatet dalin sot

  • 28 March 2020 - 14:03
Një banor i Klinës shkon për testim në Infektivë, rezultatet dalin sot

Një person nga Klina është përcjellë mbrëmë për në Klinikën Infektive që funksionon në kuadër të QKUK’së, meqenëse dyshohet se është i infektuar me COVID-19. Aktualisht në gjithë vendin janë 88 raste të konfirmuara me koronavirus.

Rastin për media e ka konfirmuar Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. 

“Një person mbramë është përcjellë për në Infektivë, meqenëse ka pas simptoma. Personi në fjalë është nga fshati Siqevë. Rezultatet e tij pritet të dalin sot. Të tjera raste nuk kemi. Gjendja në qytet është kryesisht e qetë. Për furnizim me mjete mbrojtëse, jemi duke i shiku mundësitë që me u furnizu me mjete vetanake, pra me buxhetin e komunës”, ka thënë Elezaj për media.

Aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 33 persona të infektuar me COVID-19. ër gjendjen e tyre ka folur infektologu, Salih Ahmeti.

Ahmeti i ka thënë Gazetës Express se shtatë prej të infektuarve janë në gjendje të rëndë, sidomos tre prej tyre.

“Aktualisht në Infektivë janë të shtrirë 33 persona të infektuar. Gjendja e shtatë prej tyre është e rëndë, sidomos tre janë në gjendje shumë të rëndë. Janë duke u trajtu me terapi, tash ta shohim”, ka thënë Ahmeti për media.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 88.

Sipas IKSHP’së, një prej rasteve është me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë.

“Sot me 27.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 108 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)