Nënkryetarja e VV’së: S’ka Qeveri pa fituesin, Kurti ishte Kryeministri më i mirë

  • 29 March 2020 - 18:06
Nënkryetarja e VV’së: S’ka Qeveri pa fituesin, Kurti ishte Kryeministri më i mirë

Zëvendësja e Albin Kurtit në parti, Arbërie Nagavci, po paralajmëron se ka nisur koordinimi për krijimin e një Qeverie pa Vetëvendosjen. Ka thënë se në këtë projekt janë bashkuar Presidenti i Republikës, LDK, AAK e NISMA.

“Nuk ka qeveri pa fituesin e zgjedhjeve”, ka thënë ajo.

Këtë paralajmërim, Nagavci e ka bërë disa ditë pasi Presidenti paralajmëroi se prej të hënës do të nisë konsultimet me partitë politike për të themeluar Qeverinë e re.

“Por e vërteta është se ju keni koordinuar qëndrimet me Presidentin Thaçi të krijoni një qeveri pa LV!, një qeveri me AAK e NISMA, atë që me të drejtë i akuzonit deri dje”, ka shkruar Nagavci, në një reagim në Fb.

Mirëpo, kjo zyrtare e VV’së ka dhënë edhe përgjigjen për projektin LDK-NISMA-AAK.

“Por kjo nuk është e mundur. Në këtë ngutin tuaj të jeni dhe një herë në shërbim të Thaçit nuk do të keni sukses, andaj dhe propaganda nuk do të iu bëj punë”, ka shtur ajo.

Albin Kurti u rrëzua me votat e 2/3 të deputetëve të Parlamentit të Kosovës pas shkarkoi Nënkryetarin e LDK’së nga pozita e Ministrit në kohën kur Kosova ballafaqaohet me virusin korona.

Kurti dhe as Vetëvendosje s’kanë pranuar të heqin krejtësisht taksën ashtu siç ka kërkuar SHBA’ja. Megjithëkëtë, ka nisur heqja graduale e taksës ndaj lëndës së parë të ardhur nga Serbia e Bosnja. Është paralajmëruar se nga një prilli hiqet krejtësisht taksa. Kanë thënë se do të vendosin reciprocitetin ashtu siç është në programin qeveris. Por se një ide e tillë kundërshtohet po ashtu nga Amerika.

Sidoqoftë, Arbërie Nagavci, ka folur fjalë të mira për Shefin partiak. Ka thënë se Kosova kishte Kryeministrin më të mirë.

“Pasi morët mbi vete turpin që të lini Kosovën pa Qeveri në kohë të pandemisë botërore, pasi votuat mocionin e mosbesimit për Qeverinë që po bënte një punë të shkëlqyeshme edhe në menagjimin e përhapjes së infektimit dhe shërimit të të identifikuarve pozitiv, tani keni filluar propagandën ndaj Kryeministrit më të mirë që ka pasur vendi”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Shefi i Qeverisë, Abin Kurti, i ka bërë sot interpretime Kushtetutës së Kosovës sikur të ishte ajo e Gjermanisë, Spanjës, Hungarisë apo Izraelit kur ka folur për mocionin konstruktiv dhe dekonstruktiv.

Kushtetuta gjermane dhe disa kushtetuta të vendeve tjera parashohin mocionin konstruktiv kur rrëzohet Qeveria dhe në të njëjtën kohë propozohet mandatari i ri i Qeverisë dhe votohet. Kushtetua gjermane parasheh edhe mocionin dekonstruktiv ku votohet për rrëzimin e Qeverisë dhe shkohet menjëherë në zgjedhje.

Këtë interpretim e ka përdorur Shefi i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti, kur ka reaguar sot ndaj paralajmërimeve të Presidentit, Hashim Thaçi se do të kërkojë të takohet me partitë politike për të nisur procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Kurti, në reagimin e gjatë, në Fb, përmend këto dy koncpete që s’janë fare të përmendura në Kushtetutën e Republikës, e cila ishte miratuar më 9 prill 2008 dhe kishte hyrë në fuqi më 15 Qershor 2008

“Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris”, shkruan Kurti.

Ndërkohë, në Kushtetutën e Kosovës, në nenin 100, flitet vetëm për “Mocionin”, pa e kategorizuar atë në konstruktiv apo dekonstruktiv.

Aty shkruan se mocionin mund të ngrihet me propozimin e 1/3 e të gjithë deputetëve ndërsa një procedurë të tillë mund ta kërkojë edhe Kryeministri për vete.

Veç kësaj, mocioni ka sukses nëse kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit ku pastaj ndërrohet edhe statusi nga Qeveri e zgjedhur në Qeveri në detyrë.

Ndryshe, në Kushtetutën e Kosovës, s’përmendet askund as si fjalë koncepti “konstruktiv” apo “dekonstruktiv”.

Gjithë këto interpretime kanë nisur të bëhen nga liderët politikë pasi Qeveria e Kosovës është shkarkuar me votën e më shumë se 2/3 e deputetëve të Parlamentit.

Partia e Albin Kurtit përpos që ka thënë se s’do të dërgojnë emrin për mandatar të ri kanë dhënë edhe interpretime tjera kushtetuese se Presidenti s’mund të vazhdojë me procedurën kushtetuese por duhet shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në Kushtetutën e Kosovës, neni 95, shpjegohet se si formohet Qeveria. Ky nen është interpretuar edhe në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Në nenin 80, Presidentit i jepet mundësia të shpërndajë Kuvendit pas mocionit të mosbesimit por nuk e obligon pasi aty shkruan se: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Kur pozita e Kryeministrit mbetet e lirë për shkak të dorëheqjes apo shkarkimit, atëherë Presidenti kërkon emrin për Shef të ri të Qeverisë nga partia fituese. Nëse partia e parë dështon të formojë Qeverinë, atëherë Presidenti ka diskrecion dhe vendos t’ia japë mandatin partisë që s’e dërgon vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mirëpo, problemi më i madh te Kushtetuta e Kosovës është te afatet kohore, pasi aty s’përcaktohen se sa koha ka partia fituese të dërgojë emrin te Presidenti.

Megjithëkëtë, nëse dikush nuk e shfrytëzon të drejtën ligjore e kushtetuese, në demokraci, e humbet sepse s’mund të mbajë të bllokuar institucionin.

Rrjedhimisht, Presidenti i Republikës përsëri detyrohet me Kushtetutë t’ia japë për herën e parë mundësinë Vetëvendosjes të formojë Qeverinë. Nëse dështon ose nuk e shfrytëzon këtë të drejtë atëherë pritet që Gjykata Kushtetuese të interpretojë sa i lejohet dikujt të mos e përdorë të drejtën për të dhënë dhe a mund të keqpërdoret një e drejtë e tillë.

Presidenti Hashim Thaçi  pas takimit me Ambasadorin e SHBA’së në Kosovë, Philip Kosnett, ka paralajmëruar përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në gjithë këtë situatë. Është përmendur “Roli Vital” i Kushtetueses.

“Po ashtu, ne diskutuam edhe për procedurat e mëtejme për formimin e një qeverie të re, të cilat do të bazohen plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur në këtë proces edhe rolin vital të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e Presidentit pas takimit me Kosnett.

Një interpretim i Gjykatës Kushtetuese për rastin VLAN i ka dhënë të drejtë Presidentit të vendos lidhur me atë se kujt do t’ia japë mandatin për herën e dytë. Diskrecioni i Shefit të Shtetit ndërlidhet me kriteret mbizotëruese që i plotëson partia ose koalicioni që vendi të mos shkojë në zgjedhje. Deri tash dy kritere janë që mos të ketë zgjedhje të reja siç është pandemia dhe kriteri i dytë është fakti se 2/3 e deputetëve janë bërë bashkë në rrëzimin e Qeverisë.

(Kosova Sot Online)