Franca regjistron 292 vdekje nga koronavirusi për një ditë

  • 30 March 2020 - 09:48
Franca regjistron 292 vdekje nga koronavirusi për një ditë

Autoritetet franceze raportuan për 292 vdekje të reja nga koronavirusi të dielën, 13 për qind më shumë se të shtunën. Rastet e reja e çuan në 2606 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Përpos të vdekurve, në Francë për vetëm 24 orë u konfirmuan rreth 3000 raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm shkoi në mbi 40 mijë të infektuar, shkruan “France24”.

Drejtori i përgjithshëm i shëndetësisë, Jerome Salomon, tha gjatë një konference për gazetarë se rreth 19 mijë pacientë ndodhen në spitale dhe mbi 4600 prej tyre janë nën kujdes intenziv mjekësor.

Franca është vendosur nën masa të kufizimit të lëvizjes që nga 17 marsi. Kryeministri francez, Edouard Philippe, tha të premten se kufizimet do të mbesin në fuqi të paktën deri më 15 prill.

Tubimet publike janë ndaluar, shkollat, universitetet dhe shumica e bizneseve janë mbyllur. Njerëzit mund të dalin jashtë vetëm për të blerë ushqim dhe ilaçe ose për të kërkuar ndihmë shëndetësore.

Ministri francez i shëndetësisë, Olivier Veran, njoftoi të shtunën se qeveria i ka porositur mbi një miliard maska, shumica prej të cilave do të importohen nga Kina.

(Kosova Sot Online)